Ideajet Beqiri: SPAK i dha mesazhin ish-drejtoreshës së SHISH – Mos hajde më në Shqipëri!

Aktualitet | 41 minuta më parë

Juristi Ideajet Beqiri, i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, ka komentuar mbi masën e sigurisë “arrest shtëpie” të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, të ekzekutuara mbrëmjen e së martës.

Beqiri tha se SPAK publikoi pjesë nga dosja e dërguar në gjykatë për marrjen e masës së sigurisë, ku sipas tyre rezultojnë mbi 300 komunikime, mesazhe dhe telefonata me Ergys Agasin, si dhe biseda të shkëmbyera mes tyre. Por sipas juristit, ky nuk është thelbi i akuzës.

“Ky nuk është thelbi i akuzës, por sikurse quhet, dyshimi i arsyeshëm për të nisur hetimet. Dyshimi është se ka përkrahur një person në kërkim dhe ka përhapur sekrete shtetërore. Por nuk është dhënë asnjë informacion se çfarë materiali ka që i është dhënë, apo dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.”

Beqiri shtoi se SPAK kishte mundësi të merrte masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit më herët, kur ajo ishte e pranishme në Shqipëri.

“SPAK kishte mundësi që ta merrte masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit në datën 18 shtator, kur e kishin të pranishme. Nuk kishte nevojë që ta merrnin pasi ajo kishte ikur.”

Juristi e cilësoi veprimin e SPAK si një mesazh të qartë për ish-drejtoreshën e SHISH.

“Jo vetëm që nuk e bëri këtë, por kur ajo iku në Baku, ata nxorën masën e sigurisë. Kjo në thelbin e vet do të thotë që asaj iu dha mesazhi: Mos hajde më në Shqipëri.”

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme