Inaugurohet biblioteka “Thoma Turtulli”, kryebashkiaku Filo: Do t’u ofrojmë fëmijëve edhe njohuri dixhitale

Aktualitet | 29 minuta më parë

Biblioteka e fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë është rikthyer në funksion pas transformimit në një hapësirë moderne ku libri, teknologjia dhe kreativiteti ndërthuren për fëmijët. Ambientet janë rikonstruktuar dhe pajisur me mobilim të ri e teknologji bashkëkohore.

“Kemi mundur në rast të parë ta rikonstruktojmë dhe ta restaurojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nga ana tjetër po aq e rëndësishme sa restaurimi, rikonstruksioni i godinës është edhe rivitalizimi. Pra, mënyrën se si ne këtë godinë tashmë të rikonstruktuar duam ta vëmë në funksion të fëmijëve të grupmoshës deri në 15 vjeç, duke ofruar jo vetëm shërbimin e një biblioteke tradicionale me libra fizikë, por dhe mundësinë që këta fëmijë të marrin njohuri dhe aftësi dixhitale”, deklaroi kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo.

Biblioteka synon të jetë më shumë se një hapësirë leximi duke u kthyer në një qendër ku fëmijët mund të mësojnë, eksperimentojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre përmes teknologjisë dhe aktiviteteve krijuese.

“Besoj se është një projekt i jashtëzakonshëm, i bërë i mundur falë angazhimit të projektit Jaca, por edhe të bashkisë dhe kryetarit të bashkisë. Këta fëmijë janë e ardhmja e vendit dhe e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë. Ndërthurja e botës dighitale me ata analoge është një projekt shumë i bukur dhe i jashtëzakonshëm, të cilin jemi të lumtur që e kemi mbështetur. Diplomacia italiane nuk është vetëm në kryeqytet. Ne duam të zhvillojmë territore dhe të bashkëpunojmë me to, sepse nga territoret lindin mundësitë për një marrëdhënie dypalëshe më të qëndrueshme dhe më të fortë”, deklaroi Marco Alberti, ambasadori i Italisë në Shqipëri.

Transformimi u realizua përmes financimit të programit italoqiptar Jaca dhe mbështetjes së kooperacionit zviceran. Hapësira e re synon t’u krijojë fëmijëve më shumë mundësi për të lexuar, mësuar dhe krijuar.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme