Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni mbërrin në GJKKO
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Hyseni u paraqit në GJKKO e rrethuar nga efektivë dhe avokati i saj, Kastriot Selita. Ish-drejtoresha e SHISH është në masën “arrest në shtëpi” ndërsa ndaj saj rëndojnë akuzat Përkrahja e autorit të krimit” (neni 320/2 i Kodit Penal); “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” (neni 295/a/1 i Kodit Penal). Dyshohet gjithashtu se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t.
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, u vetëdorëzua më 22 shtator pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës. Kthimi i saj dhe dorëzimi te autoritetet e pikës kufitare erdhi pas vendimit nr. 67, datë 21.09.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila miratoi kërkesën e SPAK-ut për caktimin e masave “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, hetimet ndaj Hysenit po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




