Izraeli godet disa objektiva ushtarake në Siri: Nuk do lejojmë përpjekjet për të shkelur sovranitetin tonë

Botë | 4 vite më parë

Izraeli ka goditur objektiva të shumta ushtarake në Siri, pas sulmeve me raketa gjatë natës në territoret që vendi kontrollon, sipas ushtrisë izraelite. Sipas BBC, artileria dhe dronët izraelitë u përdorën për të goditur një kompleks të ushtrisë siriane dhe raketahedhës, pasi gjashtë raketa u lëshuan nga Siria në Lartësitë Golan që kontrollohet nga Izraeli. Zyrtarët thanë se tre raketa kishin hyrë në territorin izraelit, ku dy goditën në terren të hapur dhe një e tretë u kap nga sistemi kundërajror.

Zyrtarët sirianë të mbrojtjes pohuan se mbrojtja ajrore e tyre i ishte përgjigjur sulmeve dhe kishte kapur me sukses disa nga raketat. Po ashtu, ata shtuan se nuk është raportuar për viktima, por vetëm dëme materiale nga sulmet.

Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes izraelite thanë se “e shohin shtetin e Sirisë përgjegjës për të gjitha aktivitetet që ndodhin brenda territorit të saj dhe nuk do të lejojnë asnjë përpjekje për të shkelur sovranitetin izraelit”.

Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit, një zonë prej 1200 km katrorë e kontrolluar më parë nga Siria, gjatë Luftës Gjashtë Ditore në 1967 dhe e aneksoi atë në 1981, një veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Sulmet vijnë në mes të tensioneve në rritje në rajon. Të premten, Izraeli goditi disa objektiva në Libanin jugor që i përkisnin grupit militant palestinez Hamas, të cilin e fajësoi për një breshëri prej 34 raketash të lëshuara në veri të Izraelit të enjten.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme