Izraeli synon të eksportojë gaz në Evropë, përmes Italisë

Botë | 4 vite më parë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se dëshiron të eksportojë gaz në Evropë, përmes Italisë. Ai i tha homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, se ka hapësirë për bashkëpunim më të madh mes dy shteteve.

Netanyahu ka nisur vizitën e tij treditore në Romë, ku do të takohet me liderët politikë dhe biznesmenë.

Në një deklaratë të shkurtër pas takimit me Melonin, Netanyahu nuk përmendi protestat masive që po mbahen në Izrael për shkak të reformave të prezantuara nga Qeveria e tij, apo për njoftimin e papritur të Arabisë Saudite se ka rivendosur raportet diplomatike me Iranin.

Në vend që të komentonte këto zhvillime, lideri izraelit tha se dëshiron që të krijojë lidhje më të thella me Italinë në shumë fusha, përfshirë edhe në sektorin e ujërave, atë kibernetik dhe në sektorin e energjisë.

“Italia ka thënë se dëshiron të bëhet qendër për furnizim të Evropës me energji. Ne kemi të njëjtin mendim pasi kemi rezerva të gazit që tani po i eksportojmë. Do të dëshironim që të kishim më shumë eksporte të gazit në Evropë, përmes Italisë”, tha ai.

Italia ka shprehur përkushtimin e saj që të zëvendësojë importet e energjisë nga Rusia, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar. Roma tani po dëshiron që të përfitojë nga kjo situatë dhe të bëhet një transportuese e madhe e gazit nga Afrika e Veriut dhe në Mesdhe.

Izraeli ka nënshkruar një marrëveshje nëntorin e kaluar me kompanitë Eni dhe TotalEnergies, që mundëson që kompanitë e energjisë të nisin eksplorimin për gaz natyror brenda kornizës së marrëveshjes për kufijtë detar me Libanin.

“Ka një përfshirje të Eni në projektet tona të gazit, por mendoj se mund të transportojmë më shumë”,- tha ai, duke shtuar se ministrat italianë dhe izraelitë do të takohen në Izrael në muajt në vazhdim për bisedime dypalëshe.

Para vizitës së tij në Romë, Netanyahu tha në një intervistë për një media izraelite se do t’i kërkonte Melonit që ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Por, kjo çështje, nuk është përmendur në Romë nga lideri izraelit, e as nga kryeministrja italiane. REL


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme