Java 4-ditore e punës, realitet në Holandë. Flet shqiptarja në Amsterdam: “Kushti i kryeministrit, një ditë e dua për familjen!”

Lifestyle | 1 vit më parë

Java katërditore e punës tashmë është një realitet në shumë vende të botës. Së fundi “Financial Times” ka shkruar sesi Holanda po kalon krejtësisht drejt një jave pune katërditore.

Në emisionin “Në radio” të Andri Xhahut, poetja Albana Shala, e cila jeton në Holandë prej më shumë se tri dekadash, u shpreh se ky nuk është një fenomen i ri. “Që në vitet 1990, në Holandë praktikohet java katërditore e punës. Ka një shpjegim për këtë, pasi Holanda në vitet ’60-‘70 ishte nga vendet e Komunitetit Evropian me më pak gra të punësuara. Gratë sapo martoheshin merreshin me fëmijët dhe nuk punonin. Vetëm 30% e tyre punonte. Në vitet ’80 gratë u emancipuan dhe në presionin e grupeve feministe, ato filluan të punonin tri ose katër ditë në javë. Kjo bëri që gjysma e popullsisë së punësuar në Holandë të kishte një javë pune katërditore.”

Sipas Shalës, ajo çfarë është e re në dekadën e fundit është se edhe burrat, sidomos familjarët e rinj, kanë filluar të praktikojnë javën katërditore të punës. “Kjo është kthyer në një normë që nuk ka nevojë për një legjislacion përkatës, sepse shikohet e pranueshme të negociosh me punëdhënësin e të shprehësh dëshirën të punosh vetëm katër ditë në javë, që i takojnë 32 orë sa ç’është mesatarja në Holandë. Mendohet që në këto orë e kanë dhënë më të mirën e tyre. Mirëpo çmimet e kopshteve dhe çerdheve po shtrenjtohen dhe njerëzit po mendojnë nëse ia vlen të çosh fëmijën në këto institucione apo ta mbash vetë në shtëpi dhe të punosh më pak.”

Gati 90% e holandezëve është përshtatur me këtë realitet jo dhe aq të ri. “Madje përpara 15 vjetësh, kryeministri Jan Pieter Balkenende tha që ‘unë do punoj vetëm katër ditë’, sepse donte që një ditë të merrej me familjen e vet. Ishte kushti i tij,” tregon Shala.

Një nga shqetësimet është se sa do të ndikojë java katërditore e punës në pagesën e punonjësve. “Paguhesh një ditë më pak. Bëhet llogaria: A do të fitosh më pak dhe të kesh më shumë kohë të lirë? Kjo nuk mund të bëhet pa pasur pagat e mjaftueshme. Të gjithë vendosin të punojnë më pak, sepse mendojnë që do të heqin diçka nga ana financiare, por do të fitojnë diçka nga ana shpirtërore, emocionale ose kohë të lirë. Paga mesatare në Holandë është rreth 3 mijë e ca euro. Me kaq para jetohet. Është e përballueshme edhe në qoftë se ke makinë ose shtëpi me qira. Në momentin që ke shtëpinë dhe makinën tënde dhe kërkon një shtëpi të dytë, atëherë njerëzit janë të prirë të punojnë më shumë. Nëse të ardhurat nuk mjaftojnë je i detyruar të punosh jo vetëm pesë ditë, por edhe më shumë.”

Po çfarë ndodh të premten, a është ajo një ditë pushimi? “Ka njerëz që e marrin pushim. Ka të tjerë që dalin të punojnë dhe kanë të mërkurën pushim, sepse në këtë ditë shkollat dhe çerdhet mbarojnë në orën 12. Mund të punojnë edhe me kohë të pjesshme, gjysmë dite të mërkurën dhe gjysmën të premten.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme