“Junior Fest” rikthehet në RTSH, nisin përgatitjet për edicionin 2027; Shkodra zgjedh përfaqësuesin shqiptar për Junior Eurovision 2026

Radio Televizioni Shqiptar do të organizojë vitin e ardhshëm “Junior Fest”, festivalin muzikor kushtuar fëmijëve dhe talenteve të reja, i cili do të shërbejë edhe si skena për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Shqipërisë në Junior Eurovision Song Contest 2027.
RTSH njihet zyrtarisht nga European Broadcasting Union (EBU) si transmetuesi publik përgjegjës për përzgjedhjen e përfaqësuesit shqiptar në Junior Eurovision dhe, në këtë kuadër, do të organizojë edicionin e ardhshëm të “Junior Fest”.
Përmes këtij festivali, talentet e reja shqiptare do të kenë mundësinë të konkurrojnë për të përfaqësuar vendin në skenën evropiane të muzikës për fëmijë.
Me rikthimin e “Junior Fest”, RTSH riafirmon angazhimin e tij për mbështetjen e muzikës, krijimtarisë dhe zhvillimin e brezit të ri të artistëve shqiptarë.
Festivali do të zhvillohet në Tiranë, ndërsa do të organizohen edhe ture promovuese në disa qytete të Shqipërisë.
Detajet mbi rregulloren, afatet e aplikimit dhe datat e zhvillimit të festivalit do të publikohen në vijim në platformat zyrtare të RTSH-së.
Ndërkohë, edicioni i 64-t i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër do të mbahet në Teatrin Migjeni më 30 dhe 31 maj, ndërsa nata finale do të zhvillohet më 1 qershor dhe do të transmetohet në RTSH.
RTSH, në bazë të marrëveshjes me Bashkinë e Shkodrës, për vitin 2026 do të dërgojë këngën fituese nga ky festival për edicionin e 2026 të Eurosong për Fëmijë.
Radio Televizioni Shqiptar ka dërguar që nga 2012-ta, çdo vit, këngët fituese të festivaleve të saj. Ndërsa, Shkodra dërgoi përfaqësuesin e Shqipërisë në Junior Eurosong vitin e kaluar për herë të parë mbi bazën e një marrëveshje me RTSH.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




