Kallas pas takimeve me Kurtin e Vuçiçin: Marrëveshja e Ohrit është detyrim, jo favor ndaj Brukselit

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka kërkuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.
Kallas njoftoi se është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ajo tha se në këto takime ka ngritur nevojën për avancimin e procesit të normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas saj, përparimi në normalizimin e marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në veçanti Marrëveshja e Ohrit, janë obligative”, deklaroi Kallas përmes një shkrimi në platformën X.
Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se zbatimi i marrëveshjeve nuk duhet parë si favor ndaj Brukselit.
“Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale”, tha ajo.
Kallas siguroi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë rolin e tij si ndërmjetësues i paanshëm në dialog. Megjithatë, ajo theksoi se ndërmjetësimi i BE-së nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të palëve.
“Ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara”, përfundoi Kallas.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




