KE miratoi pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave për shtetasit rusë

Udhëtimi drejt vendeve të BE-së për qyetarët rusë duke nisur nga kjo javë do të jetë më i vështirë. Bashkimi Europian ka hequr lehtësitë që iu ofronte atyre për marrjen e një vize dhe udhëtimin drejt vendeve të bllokut.
Këshilli Evropian miratoi një propozim për të pezulluar marrëveshjen për lehtësimin e vizave të vitit 2007 me Rusinë. Masa do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara për shtetasit rusë në zonën Schengen, e cila përfshin 22 shtete të BE-së dhe katër vende të tjera evropiane.
Tarifa e aplikimit për një vizë Schengen do të rritet nga 35 euro (35 dollarë) në 80 euro dhe do të kërkohen më shumë dokumente. Koha e përpunimit do të jetë gjithashtu më e gjatë dhe do të ketë kufizime për vizat me shumë hyrje.
Shtrëngimi i rregullave mund të çojë në refuzimin e aplikimeve për viza dhe madje edhe anulimin e vizave aktuale. Udhëzimet e BE-së u ofrojnë shteteve kompetenca të gjera si dhe një bazë për një shqyrtim më të detajuar të aplikimeve. Në të njëjtën kohë, BE-ja mbetet e hapur për aplikantët që udhëtojnë për arsye emergjente, në veçanti anëtarët e familjeve të qytetarëve të BE-së, gazetarët, disidentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Vendet mund të ulin ose të heqin plotësisht tarifat e vizave për anëtarët e këtyre grupeve.
Marrëveshje për lehtësimin e vizave midis BE-së dhe Rusisë ka qenë në fuqi që nga viti 2007, megjithëse ajo u pezullua për përfaqësuesit e biznesit, qeverisë dhe diplomatët menjëherë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt.
rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



