KE referon Greqinë në Gjykatë: Ka shkelur direktivën europiane për punonjësit-qytetarë jashtë BE-së

Greqi | 10 muaj më parë

Komisioni Europian ka vënë Greqinë nën presion zyrtar për një prej çështjeve më të ndjeshme për familjet emigrante: përfitimet familjare.

Sipas Brukselit, Athina ka vendosur kushte që nuk marrin parasysh rregullat e BE-së për koordinimin e sigurimeve shoqërore dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve. Komisioni europian njoftoi pak ditë më parë se do ta referojë Greqinë në Gjykatën europiane për shkelje të direktivave europiane. Sipas tij Greqia ka shkelur Rregulloren e koordinimit të sigurimeve shoqërore dhe të drejtën e lëvizjes së punëtorëve.

Ekzekutivi europian ka konstatuar se Ligji grek parashikon se vetëm shtetasit e BE-së që kanë jetuar të paktën pesë vite në Greqi bashkë me fëmijët e tyre mund të aplikojnë për ndihma familjare.

Ndërsa shtetasit jo-BE përfshirë mijëra shqiptarë që prej dekadash jetojnë e punojnë aty duhet të plotësojnë deri në 12 vite banim të pandërprerë për t’u kualifikuar.

Referuar legjislacinit europian, shtetet anëtare nuk mund të pengojnë qasjen në përfitime të sigurimeve shoqërore (përfshirë përfitimet familjare) me kërkesa rezidence. Kërkesat greke për “5 vjet / 12 vjet” bien ndesh me këtë parim dhe përbëjnë diskriminim” sipas tij.

PO ashtu, e drejta e lëvizjes së punëtorëve siguron që punëtorët në lëvizje të kenë të njëjtat përparësi sociale dhe trajtim me punëtorët vendas.

Kufizimi në përfitime familjare për punëtorët që punojnë në Greqi por nuk plotësojnë kohën e banimit mund të përbëjë mospërputhje me këto rregulla.

Kjo është mbështetur edhe nga jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë që ka interpretuar gjerësisht mbrojtjen e punëtorëve jo-rezidentë për akses në përfitime të lidhura me punësim.

Standard i dyfishtë i konstatuar nga Komisioni europian, duhet të ketë pasur pasoja të prekshme për emigrantët shqiptarë ndër vite: Qindra familje kanë mbetur jashtë skemës së ndihmës, edhe pse prindërit kontribuojnë rregullisht në sigurimet shoqërore, punojnë me kontrata dhe paguajnë taksat në Greqi. Në shumë raste, fëmijët e lindur apo të rritur në Greqi nuk kanë përfituar mbështetjen bazë që u takon sipas të drejtës europiane.

Komisioni ka nisur procedurat e shkeljes që në vitin 2023, ka dërguar opinion të arsyetuar në 2024, dhe tani po e çon çështjen deri në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së.

Nëse Athina nuk ndryshon ligjin, ajo rrezikon të detyrohet të harmonizojë menjëherë rregullat që mund të pasojë edhe me kompensimin e familjeve që janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme