Këshilli Bashkiak i Matit miraton shkrirjen e Bashkisë Klos, 14 vota pro bashkimit
Këshilli Bashkiak i Matit ka miratuar këtë të hënë propozimin për shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, në kuadër të reformës së re administrative-territoriale. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje jashtë radhe, pas përmbylljes së dëgjesave publike në 8 njësitë administrative të Matit. Në mbledhje ishin të pranishëm 20 nga 21 këshilltarët bashkiakë.
Gjatë diskutimeve, këshilltarët shprehën qëndrimet e tyre për projekt-draftin e propozuar nga mazhoranca, i cili parashikon që Klosi të mos vijojë të funksionojë si bashki më vete, por t’i bashkohet Matit. Pas diskutimeve, propozimi u hodh në votim, ku 14 këshilltarë votuan pro, 5 kundër dhe 1 abstenoi.
Qëndrimi i Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të Bashkisë Mat do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa drafti përfundimtar i reformës territoriale pritet të kalojë për votim në parlament më 8 tetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




