Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare takohet me Presidentin kinez

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan u takua të enjten me Presidentin kinez Xi Jinping në Pekin, në përfundim të një vizite tre ditore që synonte lehtësimin e ndasive mes dy fuqive botërore para zgjedhjeve të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, njofton VOA.
Takimi synon ruajtjen e komunikimit dhe shamngien e dallimeve lidhur me Tajvanin dhe çështje të tjera që mund të thellojnë tensionet mes dy fuqive të mëdha.
Të dyja qeveritë janë të interesuara të ruajnë marrëdhënie normale, para ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Zoti Sullivan tha se ai u dërgua në Pekin nga Presidenti Joe Biden për të “ruajtur komunikimin strategjik të nivelit të lartë që”, siç u shpreh ai “është thelbësor për menaxhimin me përgjegjësi të marrëdhënieve”.
Ai tha se që nga takimi i dy udhëheqësve nëntorin e kaluar, është bërë përparim i rëndësishëm sa i përket bashkëpunimit në fusha të ndryshme si lufta kundër narkotikëve, komunikimi ushtarak, siguria dhe rreziku nga inteligjenca artificiale.
“Jemi të përkushtuar të ruajmë diplomacinë e nivelit të lartë dhe deri në fund, Presidenti Biden pret që të angazhohet sërish me ju në javët e ardhshme”, tha zoti Sullivan.
Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se të dyja vendet po planifikojnë të realizojnë një telefonatë mes Presidentëve Biden dhe Xi në javët e ardhshme. Nuk u dha ndonjë sinjal nëse të dy udhëheqësit do të takohen personalisht para se zoti Biden të largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Xi tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë përgjegjëse për historinë, njerëzit dhe botën dhe se duhet të jenë faktor stabiliteti për paqen dhe një helikë për zhvillimin e përbashkët.
“Angazhimi i Kinës për marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme mbetet i pandryshuar. Parimi për trajtimin e marrëdhënieve bazuar në respektin e dyanshëm, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin në favor të të dyja palëve mbetet i pandryshuar”.
Gjatë qëndrimit në Pekin Këshilltari Sullivan u takua edhe me zyrtarin më të lartë të politikës së jashtme kineze, Wang Yi.
Shtëpia e Bardhë tha se zoti Sullivan ngriti shqetësimet për marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta të Pekinit me Moskën, çështjen e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore.
Ai pati edhe një takim të rrallë me një zyrtar të lartë të ushtrisë së Kinës, Zhang Youxia, më herët të enjten.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



