Komentet për Ukrainën, ministrat e BE-së kritikojnë Kinën

“Komentet e fundit të ambasadorit kinez në Francë i cili vuri në dyshim sovranitetin e ish-shteteve sovjetike, si Ukraina”, janë plotësisht të papranueshme. Kështu u shprehën disa ministra europianë të punëve të jashtme para takimit të tyre të së hënës (24 prill) në Luksemburg.
“Shpresoj që shefat e këtij ambasadori të qartësojnë gjërat’, u shpreh ministri i jashtëm cek, Jan Lipavsky. I pyetur gjatë një interviste televizive nëse Krimea ishte apo jo pjesë e Ukrainës, ambasadori kinez në Paris, Lu Shaye tha se historikisht gadishulli kishte qenë pjesë e Rusisë dhe i ishte ofruar Ukrainës nga ish-lideri sovjetik Nikita Hrushov.
“Këto ish vendet e Bashkimit Sovjetik nuk kanë një status aktual nën ligjin ndërkombëtar pasi nuk ekziston ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që mund të materializojë statusin e tyre Sovran, tha më tej lu.
Edhe Ministri i jashtëm lituaniz, Gabrielius Landsbergis tha se komente të tilla ishin tërësisht të papranueshme dhe bëri të ditur se vendi i tij, Estonia, dhe Letonia, të cilat dikur kanë qenë pjesë e ish Bashkimit Sovjetik, do të thërrisnin të ambasadorët kinezë për të kërkuar zyrtarisht shpjegim për situtën.
Ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani tha se nuk ishte dakord me komentet e lu, ndërsa ai i Luksemburgut i quajti ato gafë.
Ambasadori kinez, Lu Shaye njihet për stilin e tij të ashpër të menaxhimin e situatave. Gjatë misionit në Francë, ai është thirrur disa herë në Ministrinë e Jashtme, për shkak të komenteve që janë cilësuar si të papërshtatshme. Një prej këtyre rasteve ishte kur sugjeroi se Franca po i braktiste të moshuarit nëpër azile gjatë pandemisë së Covid 19 apo kur quajti “Hienë të çmendur” një ekspert të respektuar francez për çështjet e Kinës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




