Kongresmenë amerikanë takojnë përfaqësuesit shqiptarë në Preshevë

Kosovë | 4 muaj më parë

Kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë.

Delegacioni amerikan është pritur nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe nënkryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Në fokus të takimit kanë qenë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, zhvillimet politike në rajon dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në jug të Serbisë.

Vizita e kongresmenëve amerikanë po zhvillohet në kuadër të një turi zyrtar në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, të organizuar me mbështetjen e organizatës “Albanians for America”.

Sipas organizatorëve, qëllimi i vizitës është forcimi i partneritetit strategjik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe diskutimi i çështjeve të sigurisë rajonale dhe mbështetjes për shqiptarët në rajon.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresmenët pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, autoritete të sigurisë dhe përfaqësues ndërkombëtarë në Camp Bondsteel. Po ashtu, në agjendë janë parashikuar takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

Vizita vjen në një periudhë të angazhimit të shtuar të Kongresit amerikan për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, si dhe për proceset euro-atlantike në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme