Kongresmenët amerikanë vizitë në Kosovë, takime në Prishtinë pas vizitës në Luginën e Preshevës 

Kosovë | 4 muaj më parë

Pas vizitave në Bosnje dhe Serbi, kongresmenët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam mbërritën në Prishtinë, ku vizituan kampin Bondsteel, bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ambasada amerikane në Prishtinë bëri me dije se delegacioni u takua me anëtarët e shërbimit të Komandës Rajonale të KFOR-it-Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan.

Mbrëmjen e së martës, republimani Self u takuan me ish-presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, që garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 7 qershorit. Këtë të mërkurë, dy anëtarët e Kongresit Amerikan takohen me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, dy anëtarët e  dhomës së përfaqësuesve të kongresit amerikan theksuan se Beogradi duhet të adresojë shqetësimet e shqiptarëve që jetojnë në tre komunat në jug të Serbisë. “Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur.

Gjatë vizitës në Kosovë do të mësojmë për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”- deklaroi republikan Self, ndërsa kolegu i tij demokrat Suhas Subramanyam si probleme reale përmendi sistemin arsimor, zhvillimin e pabarabartë si dhe pasivizimin e adresave me të cilat po përballen shqiptarët në Serbi. “Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje” – u shpreh ai.

Dy kongresmenët përveç takimeve me kreun e komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti dhe atë të komunës së Preshevës Ardita Sinani, u takuan edhe me të vetmin deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Ky i fundit theksoi se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme