Konsullata britanike në Jerusalem bëhet “Misioni i Mbretërisë së Bashkuar”, largohen disa diplomatë

Konsullata britanike në Jerusalem do të vijojë aktivitetin si “Misioni i Mbretërisë së Bashkuar, Jerusalem”, ndërsa një pjesë e stafit diplomatik është tërhequr përkohësisht nga Izraeli për arsye sigurie.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi se konsullata britanike në Jerusalemin Lindor kishte “përfunduar funksionet e saj” dhe se konsulli i përgjithshëm, së bashku me rreth 20 diplomatë, do të largoheshin nga vendi. Sipas tij, në Izrael do të mbeten shtatë diplomatë britanikë.
Nga ana tjetër, sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, tha se godina e konsullatës nuk do të mbyllet dhe do të vijojë të funksionojë me emërtimin e ri.
Miliband deklaroi se Britania e Madhe nuk e njeh të drejtën ligjore të qeverisë izraelite për të mbyllur konsullatën, e cila, sipas tij, ka qenë e pranishme në Jerusalem prej afro 200 vitesh. Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin britanik se Jerusalemi Lindor konsiderohet territor i pushtuar.
“Godina e Konsullatës sonë të Përgjithshme nuk do të mbyllet dhe nga sot do të njihet si Misioni i Mbretërisë së Bashkuar, Jerusalem”, tha Miliband, duke shtuar se misioni do të mbetet funksional dhe do të vijojë shërbimet e tij, si dhe punën me popullin palestinez.
Sipas tij, tërheqja e përkohshme e disa diplomatëve dhe familjeve të tyre u bë për shkak të mungesës së garancive të nevojshme për sigurinë e stafit dhe ambienteve diplomatike. Britania tha se synon të rikthejë gradualisht personelin në muajt e ardhshëm.
Ky zhvillim vjen pas masave të ndërmarra nga qeveria britanike ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor. Londra ka ndaluar tregtinë me vendbanimet e paligjshme në territorin e pushtuar dhe ka vendosur sanksione ndaj disa individëve dhe kompanive që ofrojnë shërbime për kolonët.
Qëndrimi britanik ka shkaktuar reagime nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Qeveria britanike ka argumentuar se zhvillimet në Bregun Perëndimor rrezikojnë ta bëjnë të pazbatueshme zgjidhjen me dy shtete.
Miliband ka akuzuar gjithashtu kolonë izraelitë për dëbimin me forcë të palestinezëve në zona të Bregut Perëndimor, duke thënë se qeveria izraelite në shumë raste ka toleruar këto veprime.
Ndërkohë, ndryshimi i emërtimit të misionit është interpretuar si një masë e përkohshme, ndërsa Londra dhe Tel Avivi vijojnë diskutimet diplomatike për statusin dhe funksionimin e përfaqësisë britanike në Jerusalem.
Gjatë natës, punonjësit u panë duke hequr nga godina tabelat dhe pllakat me emërtimin “Konsullata e Përgjithshme Britanike” dhe shenjën e seksionit konsullor.
We retain our long-standing presence in Jerusalem. My statement: https://t.co/ABnaopUBwU
— Ed Miliband (@Ed_Miliband) October 8, 2026
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




