Kontigjenti i dytë/ Trupat e FSK-së i bashkohen forcës shumëkombëshe për stabilizimin e Gazës, Bordi i Paqes: Mbështetje për logjistikën dhe çështjet civile

Kosovë | 2 muaj më parë

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot kontingjentin e dytë të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët do të shërbejnë në këtë mision.

Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Bordi i Paqes u ka uruar mirëseardhje pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Siç bëhet e ditur në njoftim, pjesëtarët e FSK-së do të mbështesin përpjekjet për sigurinë në Gaza, me angazhime në logjistikë dhe çështje civile.

“Mirëpresim anëtarët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ekip. Ata do të mbështesin përpjekjet për sigurinë në Gaza në fusha si logjistika dhe çështjet civile”, thuhet në një njoftim të  Bordit të Paqes përmes rrjetit social X.

Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë vendet e para që po dërgojnë trupa për ofrimin e sigurisë në Gaza në kuadër të Bordit të Paqes.

Pesë vendet e para që kanë angazhuar trupa për të shërbyer në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër të trajnojnë policinë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare, si ajo në Gaza, përbën dëshmi të pjekurisë institucionale dhe të kapaciteteve profesionale të saj, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si përfituese, por edhe si kontribuuese të sigurisë globale. /KosovaPress/





Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme