Korrupsioni në parlamentin e BE, Katari dënon hetimin e nisur nga Belgjika: Janë përdorur informacione të pasakta

Botë | 4 vite më parë

Katari ka dënuar hetimin për korrupsion të nisur nga Belgjika dhe pezullimin e aksesit të shtetit të Gjirit në parlamentin e BE-së, duke thënë se kjo mund të ndikojë negativisht në lidhjet diplomatike dhe furnizimet me gaz natyror. Një deklaratë e lëshuar nga një diplomat i Katarit kritikoi autoritetet belge duke këmbëngulur se janë përdorur informacione të pasakta, raporton  EUROACTIV.

Vendimi për të vendosur një kufizim të tillë diskriminues që kufizon dialogun dhe bashkëpunimin me Katarin përpara përfundimit të procesit ligjor, do të ndikojë negativisht në bashkëpunimin rajonal dhe global të sigurisë, si dhe në diskutimet e vazhdueshme rreth varfërisë dhe sigurisë globale të energjisë”, u shpreh diplomati.

Deklarata nënvizoi marrëdhëniet e ngushta me Belgjikën. “Kombet tona bashkëpunuan gjatë pandemisë Covid-19 plus Katari është një furnizues i rëndësishëm i gazit të lëngshëm natyror në Belgjikë,” theksoi ai.

Eva Kaili, një eurodeputete greke, është një nga katër personat e akuzuar pas bastisjeve të policisë në banesën e saj që rezultuan në zbulimin e të paktën 1.5 milionë eurove kesh. Paratë dyshohej se ishin të lidhura me një shtet të Gjirit, dhe parlamenti i BE javën e kaluar bëri thirrje që të pezullohej qasja e Katarit në institucion. Skandali ka shpërthyer pasi shumë vende evropiane kërkojnë nga Katari furnizime me gaz natyror të lëngshëm.

Zonjës Kaili i është hequr detyra si nënkryetare e Parlamentit Evropian. Ajo dhe tre persona të tjerë janë akuzuar për “organizim kriminal, korrupsion dhe pastrim parash”. Skandali ka shkaktuar valë tronditëse në parlamentin e BE-së mes thirrjeve për një shtrëngim të përgjithshëm të marrëdhënieve me lobistët e vendeve të treta.

Katari mendon se është veçuar në mënyrë të padrejtë, ndikuar edhe nga akuzat e tjera të bëra kundër shtetit të pasur të Gjirit në organizimin e Kupës së Botës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme