Krishtlindjet Ortodokse, Putin urdhëron armëpushim 36-orësh

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar ministrin e tij të Mbrojtjes të vendosë një armëpushim prej 36-orësh në vijën e frontit me Ukrainën, duke filluar nga e premtja.
Armëpushimi, i cili është planifikuar të fillojë në orën 12:00 me orën e Moskës, përkon me Krishtlindjet Ortodokse Ruse. Putin i kërkoi Ukrainës që të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, por Kievi e refuzoi shpejt kërkesën. Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha: “Mbajeni hipokrizinë për veten tuaj”.
Urdhri i Putinit pasoi një apel nga Patriarku Kirill, kreu i Kishës Ortodokse Ruse, sot në mëngjes, i cili u kërkoi të gjitha palëve të përfshira në konflikt që “të ndalojnë zjarrin dhe të vendosin një armëpushim për Krishtlindjet”.
Kisha Ortodokse Ruse e feston ditën e Krishtlindjes më 7 janar, sipas kalendarit Julian. Putin e përmendi thirrjen e patriarkut si motivim për urdhrin e armëpushimit.
Në një deklaratë të Kremlinit thuhet: “Duke marrë parasysh apelin e [Kirill], presidenti udhëzon ministrin e Mbrojtjes të Federatës Ruse që të vendosë një armëpushimi përgjatë gjithë linjës së kontaktit në Ukrainë për një periudhë 36-orëshe”.
Putin i bëri thirrje Ukrainës që të përgjigjet në të njëjtën mënyrë me qëllim që “numri i madh i besimtarëve ortodoksë të cilët banojnë në zonat ku po zhvillohen luftimet, të mund të festojnë natën e Krishtlindjeve, të premten, dhe ditën e Krishtlindjes të shtunën.
Në një deklaratë në Twitter, menjëherë pas këtij urdhri, Podolyak tha se nuk mund të ketë “armëpushim të përkohshëm” derisa forcat ruse të tërhiqen nga të gjitha zonat që kanë pushtuar.
Will Vernon i BBC-së në Moskë thotë se masa e Rusisë mund të shihet nga disa edhe si një taktikë e Kremlinit për të demonizuar Ukrainën në sytë e publikut rus, nëse armëpushimi nuk zbatohet. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



