Kriza e Ngushticës së Hormuzit, Irani merr në shqyrtim propozimin e SHBA-së

Botë | 44 minuta më parë

Irani është ende duke shqyrtuar përgjigjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj propozimit të tij për rihapjen e ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare kritike për transportin e naftës botërore.

Propozimi, i paraqitur nga Irani gjatë takimeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u përshkrua nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe është marrë nga ana amerikane përmes ndërmjetësve.

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi, “këto pikëpamje janë aktualisht në shqyrtim në Iran.

Nëse përgatitet përgjigja përfundimtare e Republikës Islamike të Iranit, hapat e nevojshëm do të ndërmerren përmes kanaleve të përshtatshme”.

Propozimi iranian parashikon një kornizë shtatëditore për ndërtimin e besimit dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit, me kusht që SHBA të përmbushë disa kushte të lidhura me memorandumit e të kuptuarit të nënshkruar në qershor.

Këto kushte përfshijnë, sipas raporteve, ngritjen e bllokadës detare amerikane, lëshimin e aseteve të ngrira iraniane, heqjen e sanksioneve ndaj eksportit të naftës iraniane dhe ndalimin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Presidenti amerikan Donald Trump tha në fund të shtatorit se kishte refuzuar planin iranian për rihapjen e ngushticës brenda shtatë ditëve.

Megjithatë, Irani ka theksuar se negociatat përmes vendeve ndërmjetëse vazhdojnë. Raporte nga burime diplomatike tregojnë se palët janë dakord në parim mbi elementët e planit, por dallimet kryesore qëndrojnë te sekuenca e zbatimit – se kush duhet të bëjë hapin e parë.

Ministri Araghchi, pasi u kthye nga Nju Jorku dhe u ndal në Doha, mori përgjigjen amerikane dhe e prezantoi atë në kabinetin e presidentit Masoud Pezeshkian. Zëdhënësja e qeverisë iraniane Fatemeh Mohajerani konfirmoi marrjen e dokumentit, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei tha më 4 tetor se Iranii ka përcjellë pozicionet e tij të gjera përmes ndërmjetësve dhe do të dërgojë pika shtesë pasi të përfundojnë vlerësimet e nevojshme. Ai theksoi se fokusi i Teheranit në këtë fazë është siguria e ngushticës së Hormuzit dhe kthimi i saj në gjendje normale, jo çështjet bërthamore.

Kryetari i Parlamentit iranian dhe negociatori kryesor Mohammad Baqer Qalibaf deklaroi se ngushtica nuk do të rihapet derisa të plotësohen shtatë kushtet e Iranit bazuar në memorandumit e Islamabadit. Ai shtoi se SHBA duhet të kuptojë se koha e zvarritjes dhe e kërkesave njëanshme ka mbaruar.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror botëror, mbetet e mbyllur ose e kufizuar që nga fillimi i konfliktit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe pasiguri për transportin detar. Negociatat indirekte vazhdojnë përmes Katarit dhe vendeve të tjera ndërmjetëse, ndërsa të dyja palët mbajnë qëndrime publike të forta, por mbajnë të hapura kanalet diplomatike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme