Ksamili, destinacion i preferuar edhe në shtator – Pushuesit e vizitojnë për detin, natyrën dhe mikpritjen
Ksamili mbetet edhe këtë fillim shtatori një nga destinacionet më të vizituara të bregdetit jugor.
Plazhet e pastra dhe uji i kaltër vazhdojnë të tërheqin familje, të rinj dhe turistë të huaj, të cilët shprehen se Ksamil është një nga vendet më të veçanta të Shqipërisë. Përveç natyrës dhe detit, pushuesit vlerësojnë edhe ofertat e ndryshme turistike që gjejnë pranë bregdetit.
“Kam lexuar gjëra të mrekullueshme për Ksamilin dhe doja ta shihja vetë. Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe deri tani gjithçka ka qenë shumë e bukur. Të gjithë janë shumë miqësorë, na kanë ofruar edhe oferta të ndryshme turistike këtu për të shijuar më shumë vendin”, shprehet turistja.
Vitet e fundit Ksamilit i janë shtuar investimet dhe shërbimet, duke e bërë edhe më tërheqës për turistët. Infrastruktura e përmirësuar, hapja e bareve dhe restoranteve moderne, si dhe pastërtia e plazheve kanë sjellë ndryshime të dukshme në krahasim me vitet e kaluara.
“Definitivisht do të vij çdo vit këtu, sepse është vend i mrekullueshëm. Është shumë pastër dhe lokalet që ofron janë si në vendet e Europës”, vlerëson turisti.
Ksamili nuk tërheq vizitorët vetëm për plazhet me ujin e kristaltë dhe rërën e pastër, por edhe për bukurinë natyrore të zonës, mikpritjen e ngrohtë të vendasve dhe ushqimin e shijshëm që mund të gjejnë këtu.
Edhe në vjeshtë duket se fluksi i pushuesve do të mbetet i lartë, duke treguar se Ksamil është një destinacion i plotë, ku çdo vizitë ofron eksperienca të paharrueshme dhe një përvojë të vërtetë shqiptare.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





