Kupi: Është lidhur kontrata për ndërtimin e burgut të ri në Lezhë

Kontrata për ndërtimin e burgut të ri në Lezhë, i cili do t’u dedikohet personave me probleme të shëndetit mendor, është lidhur. Lajmin e bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Kupi theksoi nevojën për një trajtim të specializuar dhe të vazhdueshëm për personat e dënuar ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e mjekimit të detyruar. Sipas tij, për personat me çrregullime të shëndetit mendor duhet të ketë një ndarje më të qartë mes funksionimit të sistemit penitenciar dhe atij shëndetësor.
“Personat me probleme të çrregullimit mendor, për të cilët gjykata ka caktuar mjekim të detyruar, kanë nevojë për trajtim të specializuar dhe të vazhdueshëm, prandaj duhet të ketë një ndarje më të qartë mes funksionimit penitenciar dhe atij shëndetësor”, deklaroi Kupi.
Drejtori i Burgjeve bëri të ditur se projekti për ndërtimin e institucionit të ri në Lezhë do të realizohet në tre faza, ndërsa kontrata për fazën e parë tashmë është lidhur. Investimi për ndërtimin e godinës dhe pajisjen e institucionit parashikohet të jetë rreth 8 milionë euro. Sipas të dhënave të bëra publike nga Kupi, struktura e re do të ketë një kapacitet prej 1000 shtretërish. Institucioni synon të ofrojë kushte dhe trajtim të specializuar për personat që, me vendim gjykate, i nënshtrohen mjekimit të detyruar për shkak të problemeve të shëndetit mendor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



