Kurorëzohet dashuria, Selena Gomez martohet me Benny Blanco në Kaliforni

Lifestyle | 1 vit më parë

Ylli i muzikës pop dhe aktorja amerikane Selena Gomez dhe producenti muzikor Benny Blanco i dhanë fund beqarisë në një ceremoni private në Santa Barbara, Kaliforni.

Lajmi u konfirmua nga vetë Gomez, e cila postoi në llogarinë e saj në Instagram fotografi të dasmës me mbishkrimin e thjeshtë, por domethënës “9.27.25” shoqëruar me zemra dashurie. Blanco, i emocionuar, komentoi në postimin e nuses: “Gruaja ime në jetën reale”.

Detajet e ceremonisë dhe të ftuarit VIP

Çifti shkëmbeu betimet para rreth 170 të ftuarve në një ceremoni luksoze, detaje të së cilës u zbuluan nga revista e modës Vogue.

Ndër pjesëmarrësit e njohur ishin miqtë më të ngushtë të Gomez, si këngëtarja dhe kompozitorja Taylor Swift, aktori Paul Rudd, si dhe bashkë-aktorët e saj nga seriali “Only Murders in the Building”, Steve Martin dhe Martin Short.

Gomez, 33 vjeç, dhe Blanco, 37 vjeç, ishin veshur të dy nga shtëpia e modës Ralph Lauren. Aktorja kishte zgjedhur një fustan nusërie të bardhë, pa mëngë, me jakë të lartë dhe të ngushtë, ndërsa Blanco ishte veshur me një smoking të errët.

Një histori bashkëpunimi dhe dashurie

Fejesa e çiftit u bë publike në dhjetor të vitit 2024, pas një viti lidhjeje. Marrëdhënia e tyre lindi nga bashkëpunimi i gjatë profesional.

Përveç hiteve të mëparshme si “Same Old Love” dhe “Kill Em with Kindness” (2015), si dhe “I Can’t Get Enough” (2019), çifti ka publikuar së bashku edhe albumin “I Said I Love You First” në mars, i cili eksploron pikërisht historinë e tyre të dashurisë.

Ndërsa Selena Gomez vazhdon të shkëlqejë në aktrim (kohët e fundit në filmin “Emilia Perez”), Benny Blanco mbetet një nga emrat më të njohur në industrinë e muzikës, me prodhime për artistë si Katy Perry, Britney Spears dhe Kesha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme