Kuvendi i Kosovës mblidhet të hënën, i dërgohet qeverisë projektligji për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Kosovë | 52 minuta më parë

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë më 28 shtator seancën e parë plenare, ku, ndër të tjera, pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët e Kuvendit lidhur me kundërshtimin e dënimeve ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, presioni qytetar tashmë duhet të drejtohet nga Qeveria që ta kthejë ligjin shpejt në Kuvend për miratim.
“Ky është një situatë emergjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale. Qytetarët me plot të drejtë kanë kërkesa të drejtuara nga Kuvendi dhe Qeveria. Veproni, koordinohuni, organizoni dhe kësaj padrejtësie historike përgjigjuni në mënyrë institucionale përmes mjeteve dhe formave të duhura. Isha këtu që të alarmoj situatën, të kthejmë fokusin te kjo padrejtësi. Me shumë korrektësi, në emër të PDK-së, kërkova që fillimisht Kuvendi të ketë një deklaratë të përbashkët. U dakorduam që të kemi një deklaratë të përbashkët që do të mbahet ditën e hënë. Më e rëndësishme se deklarata është projektligji, nisma ligjore që ne veçse e kemi dorëzuar në Kuvend dhe prej këtu ka shkuar për mendim në Qeveri. Presioni dhe kërkesa duhet të jetë te Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u zotua se do të komunikojë me kryeministrin Albin Kurti për ta përshpejtuar procedurat në Qeveri për ta miratuar ligjin e ri për Specialen, raporton KosovaPress

“Zonja Haxhiu u zotua se sot do të flasë me KM Albin Kurti që të përshpejtojë procedurat në Qeveri. Mos të mbajë 30 ditë, siç e parasheh rregullorja, por një ditë, të mblidhen ekspertët, të japin mendimin, të kthehet në Kuvend dhe mundet të hënën ose të martën të votohet ligji, nëse ka vullnet politik”, theksoi Tahiri.
Ai përmendi edhe heshtjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

“Është shumë e ulët dhe e pandershme që zëvendëskryeministrja e Kosovës, ministrja e Drejtësisë, të krahasojë 16 shtatorin me tema apo ngjarje ditore. Jo, nuk ka me pasur normalitet përderisa s’ka me pasur veprime konkrete ndaj kësaj padrejtësie, edhe institucionale. Normalitetin nuk kanë me lënë qytetarët e Kosovës. Le ta harrojë qasjen sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të sillemi normal. Është shumë e pandershme, e ulët dhe turpëruese për këtë deklaratë skandaloze që e ka dhënë”, tha ai.

I pyetur për çështjen e presidentit, Tahiri tha se kjo nuk është temë aktualisht, pavarësisht se deri më 6 tetor duhet të zgjidhet i pari i vendit ose shkohet në zgjedhje të reja.

“Nuk është temë aktualisht çështja e presidentit. Konsideroj se 16 shtatori, ligji për Dhomat e Specializuara, padrejtësia që ka ndodhur në këtë vend nuk duhet të lidhet me tema politike. Tema politike kemi hapësirë dhe duhet të diskutohen. Kjo është situatë e re dhe në këtë situatë duhet të bashkohen të gjitha. Patjetër, duhet bashkërisht të ndërtojmë platformë politike, konkrete institucionale për të mbështetur katërshen që po mbahet padrejtësisht në Hagë”, përfundoi Tahiri.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme