LDK mbledh kuvendin e partisë më 30 korrik, të enjten vendoset për shkarkimin e ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku

Kosovë | 2 muaj më parë

“Besoj në demokraci ndaj thirra Kuvendin e jashtëzaknshëm të partisë për shkarkimin tim, siç ma kërkuan. Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën.” Kjo ishte deklarata e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ndërsa njoftoi mbledhjen e delegatëve të partisë së tij të enjten, ndonëse sipas tij ishte i panevojshëm dhe i pavend.

“Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm dhe përçarës, jo për fatin tim individual, por për plagët që i ka lënë LDK-së. Nuk ka qenë as koha, as vendi dhe aq më pak mënyra për mbajtjen e tij.” – u shpreh Abdixhiku, duke theksuar se ai respekton demokracinë dhe ka besim tek anëtarësia e partisë së tij.

“Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë dhe në këtë rrugëtim do të qëndroj, sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër dhe nga këto bindje, del dhe thirrja ime, për delegatët e Lidhjes. Qëndroni!”- u shpreh ndër të tjera kreu i partisë së tretë më madhe në Kosovë.

Abdixhiku thirri kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë për shkarkimin e tij nga detyra pas kërkesës së dorëzuar nga mbi 150 delegatë nga 355 të tillë, të cilët u nxitën nga humbja në zgjedhjet e 7 qershorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta pas LVV dhe PDK-së, por zhvillimet erdhën ndërsa ajo parti po zhvillnte bisedime me subjektin fitues të zgjedhjeve mbi një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja, negociata që kanë mbetur pezull, ndërsa seanca për konstituimin e Kuvendit, që do t’i hapë rrugë atij procesi mbahet më 6 gusht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme