Lufta, BE: Irani i jep raketa Rusisë, do i vendosim sanksione

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur sot se aleatët e tij kanë marrë informacion se Irani po furnizon Rusinë me raketa balistike dhe paralajmëroi për sanksione të reja ndaj Teheranit nëse konfirmohet një gjë e tillë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për informacionin e besueshëm të dhënë nga aleatët për dërgimin e raketave balistike iraniane në Rusi. Ne po e shqyrtojmë më tej atë me shtetet tona anëtare dhe nëse konfirmohet, ky dorëzim do të përfaqësonte një përshkallëzim material thelbësor në mbështetjen e Iranit për luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano tha se Brukseli do të “përgjigjet me shpejtësi dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë” për të vendosur “masa të reja dhe të rëndësishme kufizuese kundër Iranit”.
Javën e kaluar, Wall Street Journal raportoi se Shtetet e Bashkuara kishin informuar aleatët evropianë se Irani i dorëzoi Rusisë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.
Të hënën, kur u pyet për raportin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk e mohoi plotësisht se Moska kishte marrë raketa nga Irani.
“E kemi parë këtë raport, nuk është se ky lloj informacioni është i vërtetë sa herë që bëhet publik. Irani është një partner i rëndësishëm, ne po zhvillojmë marrëdhëniet tona tregtare dhe ekonomike, po zhvillojmë bashkëpunimin dhe dialogun tonë në të gjitha fushat e mundshme, duke përfshirë edhe fushat më të ndjeshme”, tha Peskov.
Perëndimi prej muajsh e ka paralajmëruar Teheranin kundër dërgimit të raketave ndaj Rusisë, dhe BE-ja tashmë e ka goditur vazhdimisht Iranin me sanksione për furnizimin me dronë në Moskë për përdorim në luftën në Ukrainë.
Përballë sanksioneve ndëshkuese perëndimore, Moska i është drejtuar Iranit dhe Koresë së Veriut për furnizime me armë për të mbajtur makinën e saj të luftës në Ukrainë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



