Lufta e Jemenit, bisedimet Saudite-Houthi sjellin shpresë për armëpushim

Botë | 4 vite më parë

Një delegacion i Arabisë Saudite ndodhet në kryeqytetin e Jemenit, Sana’a për bisedime me lëvizjen rebele Houthi, me qëllim arritjen e një armëpushimi të ri dhe mundësisht të përhershëm.

Kryeqyteti kontrollohet nga Houthi që kur ata dëbuan qeverinë e Jemenit në vitin 2015, ndërsa më pas shpërtheu lufta midis Houthis dhe një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite që mbështet qeverinë.

Konflikti ka lënë dhjetëra mijëra jemenas të vdekur dhe rreth 80% të popullsisë në krizë humanitare.

Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga pala saudite, por mediat Houthi thonë se të dy delegacionet saudite dhe omani janë në Sana’a.

Një foto e zbuluar duket se tregon liderin Houthi Mohammed Ali al-Houthi duke shtrënguar dorën e një zyrtari saudit, fytyra e të cilit është e errët.

Kjo është përshëndetur si një tjetër shenjë domethënëse e vullnetit të të dyja palëve për të arritur përfundimisht një marrëveshje që mund t’i japë fund luftës.

 Asnjë zyrtar i emëruar nuk ka komentuar këtë ngjarje, por ka pasur raportime nga burime të ndryshme se një marrëveshje mund të nënshkruhet para fundit të muajit, transmeton BBC.

Kjo nismë vjen paralelisht me procesin e OKB-së, i cili rezultoi në një armëpushim të përkohshëm vitin e kaluar.

Lufta ndërmjet sauditëve dhe Iranit duket sikur po i vjen fundi – me dy rivalët rajonalë të përkushtuar tani për një afrim të ri që mund të rihapin misionet diplomatike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme