Lufta Izrael-Hamas, SHBA sheh shenja përparimi në arritjen e një marrëveshje për lirimin e pengjeve

Botë | 3 vite më parë

Negociatorët amerikanë po bëjnë përparim për një marrëveshje të mundshme sipas së cilës Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake kundër Hamasit në Gaza për dy muaj në këmbim të lirimit të më shumë se 100 pengjeve që u kapën në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit. Kjo u bë e ditur nga dy zyrtarëve të lartë të administratës.

Zyrtarët, të cilët kërkuan anonimitetin për të diskutuar mbi detajet e negociatave, thanë të shtunën se kushtet e reja të marrëveshjes ende të pambyllur do të zhvillohen në dy faza.

Në fazën e parë, luftimet do të ndaleshin për të lejuar që gratë e mbetura, të moshuarit dhe pengjet e plagosur të liroheshin nga Hamasi.

Izraeli dhe Hamasi më pas do të synojnë të përpunojnë detaje gjatë 30 ditëve të para të pauzës për një fazë të dytë në të cilën ushtarët dhe civilët izraelitë do të lirohen. Marrëveshja në zhvillim kërkon gjithashtu që Izraeli të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza.

Marrëveshja e propozuar nuk i jep fund luftës, por zyrtarët amerikanë shpresojnë se një marrëveshje e tillë mund të vendosë bazat për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.

New York Times raportoi për herë të parë të shtunën se është bërë përparim drejt një marrëveshjeje për një pauzë në luftime në këmbim të pengjeve të mbetura.

Drejtori i CIA-s Bill Burns pritet të diskutojë konturet e marrëveshjes në zhvillim kur të takohet të dielën në Francë me David Barnea, kreun e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefin e inteligjencës egjiptiane Abbas Kamel për bisedime të përqëndruara në negociatat për lirimin e pengjeve. Kjo u bë e ditur nga tre persona të njohur me takimin e planifikuar, të cilët nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht.

Presidenti Joe Biden foli të premten në telefon me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe emirin në pushtet të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani. Thirrjet me të dy liderët u fokusuan në situatën e pengjeve.

“Të dy liderët pohuan se një marrëveshje pengjesh është thelbësore për vendosjen e një pauze të zgjatur humanitare në luftime dhe për të siguruar që ndihma humanitare shtesë shpëtimtare të arrijë civilët në nevojë në të gjithë Gazën,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë në lidhje me thirrjen e Biden me liderin e Katarit. 

“Ata nënvizuan urgjencën e situatës dhe mirëpritën bashkëpunimin e ngushtë midis ekipeve të tyre për të çuar përpara diskutimet e fundit.”

Burns shkon në Francë për bisedimet e nivelit të lartë pasi këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Brett McGurk udhëtoi në Lindjen e Mesme këtë javë për bisedime mbi situatën e pengjeve.

Nëse Burns sheh përparim në bisedimet e tij në Francë, Biden mund ta dërgojë McGurk përsëri në Lindjen e Mesme shpejt për të provuar të përfundojë një marrëveshje. McGurk gjatë bisedimeve të tij këtë javë po shtronte gjithashtu bazat për një udhëtim tjetër në rajon nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili javën e ardhshme mund të bëjë udhëtimin e tij të pestë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor.

Shtëpia e Bardhë dhe CIA ende nuk e kanë konfirmuar publikisht takimin e Burns në Francë dhe zyrtarët e administratës janë kujdesur të mos deklarohen se një marrëveshje mund të arrihet shpejt. AP

/rtsh.al/

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme