Lufta me Rusinë/ Scholz: Ukraina do të fitojë! Von der Leyen: BE t’i paguajë 1.5 miliardë në muaj shpenzimet

“Ndërsa flasim, agresioni i egër rus është intensifikuar përsëri. Sulmet e fundit pa dallim, duke përfshirë përdorimin e dronëve kamikaze kundër civilëve ukrainas dhe infrastrukturës civile, shënojnë një përpjekje të re të mjerueshme nga Rusia për të fshirë Ukrainën nga harta, kjo vërteton vetëm një gjë, Rusia dhe Putini janë të dëshpëruar. Kombi krenar dhe i guximshëm i Ukrainës do të fitojë“, kështu deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz, në fjalën e tij hapëse në Konferencën për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës në Berlin.
Nga ana tjetër presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë fjalës së saj deklaroi se Ukrainës i duhen midis 3 dhe 5 miliardë euro në muaj vetëm për shpenzimet aktuale ndaj ajo sugjeroi që të punohet që BE t’i paguajë 1.5 miliardë në muaj kësaj të fundit.
“Ukrainës i duhen midis 3 dhe 5 miliardë euro në muaj vetëm për shpenzimet aktuale. Unë punoj që BE të marrë një pjesë të drejtë në këtë përpjekje, duke garantuar 1.5 miliardë euro në muaj, derisa të jetë e nevojshme. Kjo është 18 miliardë euro për vitin 2023”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Banka Botërore ka njoftuar një shtesë prej 500 milionë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të përmbushë nevojat urgjente të shpenzimeve të shkaktuara nga pushtimi rus.
“Financimi nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, krahu kryesor kreditues i bankës, u mbështet nga 500 milionë dollarë garanci kredie nga Britania e Madhe, të shpallura më 30 shtator”, thuhet në deklaratën e Bankës Botërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



