Lufta në Sudan/ Guterres ngre alarmin: Po ndizet një fitil që mund të shpërthejë përtej kufijve

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka paralajmëruar se lufta për pushtet midis gjeneralëve rivalë dhe forcave të tyre ushtarake, jo vetëm që po e vë në rrezik të ardhmen e Sudanit, por “po ndez një fitil që mund të shpërthejë përtej kufijve, duke shkaktuar vuajtje të pamasë për vite dhe duke penguar zhvillimin në dekada”.
Shefi i OKB-së i kërkoi ushtrisë sudaneze, të komanduar nga gjenerali Abdel Fattah Burhan, dhe Forcave rivale të Mbështetjes së Shpejtë, një grup paraushtarak i udhëhequr nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, të ndalojnë konfliktin e armatosur.
“Konflikti nuk do dhe nuk duhet të zgjidhet në fushën e betejës”, tha Guterres në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbrëmjen e së martës, raporton CNN.
Thirrjet për negociata për t’i dhënë fund krizës në vendin e tretë më të madh të Afrikës janë injoruar. Për shumë sudanezë, largimi i diplomatëve, punonjësve të ndihmës dhe të huajve të tjerë dhe mbyllja e ambasadave janë shenja të tmerrshme që fuqitë ndërkombëtare presin që kaosi vetëm të përkeqësohet.
Lufta në Sudan nisi më 15 prill mes forcave besnike të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon grupin paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.
Dy ish-aleatët kishin marrë pushtetin përmes një grusht shteti më 2021, por më pas patën mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit.
Daglo tani ka thënë se grusht shteti ishte “gabim” dhe dështoi që të sillte ndryshime, ndërkaq Burhan ka shprehur bindjen se ai ishte “i domosdoshëm” për të përfshirë më shumë grupe në politikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




