Lufta në Ukrainë/ Inteligjenca amerikane: Rusia po kërkon armë të fuqishme nga Koreja e Veriut

Botë | 3 vite më parë

Rusia dhe Koreja e Veriut janë duke përparuar në mënyrë aktive në negociatat mes tyre për një marrëveshje të mundshme në fushën e sigurisë gjë e cila do të siguronte municion të konsiderueshëm për lloje të ndryshme të sistemeve luftarake, duke përfshirë artilerinë.

Sipas inteligjencës amerikane Kremlini është i dëshpëruar për të marrë municione dhe sisteme luftarake për të vijuar luftën me Ukrainën.

Administrata e Bidenit ka bërë të ditur se mbetet e shqetësuar se dy shtetet janë në mes të negociatave të armëve dhe se pas udhëtimit të ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në Korenë e Veriut muajin e kaluar, një delegacion i dytë zyrtarësh rusë kanë vizituar Phenianin për diskutime vijuese mbi një marrëveshje e mundshme.

Përveç delegacionit të dytë, presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un kanë shkëmbyer letra duke “zotuar të rrisin bashkëpunimin e tyre dypalësh”, sipas John Kirby, koordinator i komunikimit strategjik i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Ne mbetemi të shqetësuar se DPRK vazhdon të marrë në konsideratë ofrimin e mbështetjes ushtarake për forcat ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe ne kemi informacione të reja të cilat mund t’i ndajmë sot se negociatat e armëve midis Rusisë dhe DPRK-së po avancojnë në mënyrë aktive”, tha Kirby.

“Pas këtyre negociatave, diskutimi i nivelit të lartë mund të vazhdojë në muajt e ardhshëm.”

Ndërkohë, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuese e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, akuzoi Rusinë dhe Korenë e Veriut se po negociojnë marrëveshje armësh.

Greenfield e quajti atë të turpshme dhe shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të miratuara nga Rusia.

Zbulimi i inteligjencës është shembulli më i fundit se si administrata Biden planifikon të vazhdojë të publikojë përpjekjet e Rusisë për të shmangur sanksionet perëndimore dhe burimin e armëve për luftën e saj, si dhe të vërë në dijeni Korenë e Veriut se SHBA po i monitoron nga afër këto përpjekje.

“Sipas këtyre marrëveshjeve të mundshme Rusia do të merrte sasi të konsiderueshme dhe lloje të shumta municionesh nga DPRK, të cilat ushtria ruse planifikon t’i përdorë në Ukrainë. Këto marrëveshje të mundshme mund të përfshijnë gjithashtu sigurimin e lëndëve të para që do të ndihmonin bazën industriale të mbrojtjes ruse”, tha Kirby, duke u zotuar se SHBA do të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për të sanksionuar çdo subjekt të përfshirë në një marrëveshje të mundshme dhe i kërkoi Phenianit të ndërpresë negociatat.

Në fillim të këtij muaji, Thesari i SHBA-së sanksionoi një rrjet evazioni sanksionesh që synonte të mbështeste marrëveshjet e armëve midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Gjithashtu, Kirby tha se përpjekjet e Rusisë për të marrë armë nga vende si Irani dhe Koreja e Veriut ishin një sinjal i qartë i shqetësimit të Moskës.

“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta parë këtë përveç dëshpërimit dhe dobësisë, sinqerisht” tha zyrtari, transmeton CNN-i.

Në fund të vitit të kaluar, Pheniani i dorëzoi raketa dhe kompanisë ushtarake private Vagner për trupat e tyre në Ukrainë dhe zyrtarët perëndimorë kanë thënë se Irani e ka furnizuar Rusinë me armë për përdorim në Ukrainë.

Irani dhe Koreja e Veriut i kanë mohuar këto pretendime.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme