Lufta në Ukrainë, Putin u ofron shtetësinë ruse të gjithë ukrainasve

Një dekret që lehtëson procesin e marrjes së shtetësisë ruse për të gjithë qytetarët ukrainas është nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin. Kohët e fundit, vetëm banorët e Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore , si dhe banorët e rajoneve jugore të Zaporizhia dhe Kherson, pjesë të mëdha të të cilave janë nën kontrollin rus, mund të merrnin shtetësinë ruse përmes procesit të thjeshtuar. Kievi ende nuk ka reaguar ndaj njoftimit të Putinit.
Që nga viti 2019, kur procesi u prezantua për herë të parë për banorët e Donetsk dhe Luhansk, deri më tani, më shumë se 720,000 banorë të zonave të kontrolluara nga separatistët pro-rus në të dy rajonet, rreth 18% e popullsisë, kanë marrë pasaporta ruse.
Në fund të majit, tre muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, procesi i shpejtë iu ofrua edhe banorëve të rajoneve Zaporizhia dhe Kherson.
Dekreti i Putinit u njoftua ndërsa bombardimet ruse goditën qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv , ku të paktën tre persona janë vrarë dhe 31 janë plagosur. Kievi e përshkruan sulmin në Kharkiv si “terrorizëm absolut”, pasi një shkollë dhe një kompleks banimi u goditën nga raketat ruse./ CNN.gr
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




