Lufta/ SHBA do të dërgojë sistemin e mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë

Botë | 4 vite më parë

Administrata e Presidentit amerikan, Joe Biden po finalizon planet për dërgimin e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë, vendim që mund të shpallet brenda kësaj jave.

Plani i Pentagonit ende duhet të miratohet nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin përpara se t’i dërgohet Presidentit Joe Biden për nënshkrimin e tij.

Ukraina i ka bërë thirrje SHBA-së që të dërgojë sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, i cili është shumë efektiv në kapjen e raketave balistike, pasi është nën një breshëri sulmesh me raketa dhe dron ruse që kanë shkatërruar infrastrukturën kryesore në të gjithë vendin. Do të ishte sistemi më efektiv i armëve mbrojtëse me rreze të gjatë të dërguar në vend dhe zyrtarët thonë se do të ndihmojë në sigurimin e hapësirës ajrore për vendet e NATO-s në Evropën Lindore.

Nuk është e qartë se sa lëshues raketash do të dërgohen, por një bateri tipike Patriot përfshin një grup radari që zbulon dhe gjurmon objektivat, kompjuterët, pajisjet gjeneruese të energjisë, një stacion kontrolli angazhimi dhe deri në tetë lëshues, secili me katër raketa gati për të gjuajtur.

Pasi të finalizohen planet, Patriotët pritet të dërgohen shpejt në ditët në vijim dhe ukrainasit do të trajnohen për t’i përdorur ato në një bazë të ushtrisë amerikane në Grafenëoehr, Gjermani.

Ukraina e ka kërkuar sistemin për muaj të tërë, por sfidat logjistike për dhënien e tij dhe funksionimin e tij janë të mëdha. Pavarësisht këtyre pengesave, realiteti i asaj që po ndodh në terren, e shtyu administratën të merrte vendimin./ CNN

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme