Lufta Ukrainë-Rusi/ Sulmi në Zaporizhzhia, Guterres: Shmangni luftën bërthamore, sjell fundin e planetit

Frika për një bombë të tretë atomike ka qenë në rritje mes kërcënimeve të Rusisë për një sulm bërthamor që kur filloi lufta e saj kundër Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i ka bërë thirrje vendeve me armë bërthamore që t’i përmbahen angazhimit të tyre të mospërdorimit të parë të arsenalit të tyre bërthamor, pasi në të kundërt ky do të jetë fundi i planetit, raporton Associated Press.
“Ky është momenti për t’u kërkuar vendeve të armatosura bërthamore që të angazhohen për parimin e mospërdorimit të parë dhe të angazhohen për të mos përdorur dhe mos kërcënuar vendet jobërthamore. Unë mendoj se askush nuk mund ta pranojë idenë se do të ndodhë një luftë e re bërthamore. Ky do të jetë shkatërrimi i planetit. Ajo që është e qartë është se nëse askush nuk përdor për herë të parë, atëherë nuk do të ketë luftë bërthamore, “tha Guterres.
Të enjten, Moska bombardoi qytetin ukrainas të Zaporizhzhia, i cili mban centralin bërthamor më të madh në Evropë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres e ka konsideruar veprim vetëvrasës sulmin. “Çdo sulm ndaj një centrali bërthamor është një gjë vetëvrasëse“,është shprehur ai.
Centrali bërthamor i Zaporizhjas kontrollohet nga rusët që prej nisjes së luftimeve, por operohet ende nga teknikë ukrainas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




