Malësia e Madhe, zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në fokusin e Bashkisë
Me pasuritë e saj të shumta natyrore dhe shtrirjen nga brigjet e liqenit të Shkodrës deri në Alpet shqiptare, Malësia e Madhe po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë turistë të huaj.
Sipas drejtuesve të turizmit në këtë bashki, edhe sezoni i sivjetëm veror ka regjistruar rritje të ndjeshme të vizitorëve, si në turizmin liqenor ashtu edhe në atë malor.
“Sezoni akoma nuk ka përfunduar sepse ne e kemi sezonin më të gjatë. Pretendojmë dhe po zhvillojmë një turizëm gjithëvjetor. Mund të flasim për një rritje rreth 10 për qind, përafërsisht flasim gjithmonë, me vitin e kaluar. Në rritje që ka ndikuar shumë është prezenca e turistëve të huaj. Atraksionet turistike janë të shumta, por më kryesoret që dua të theksoj janë Reçi, Tamara, Razma, Boga dhe Lëpusha”, shprehet Eristjan Smajlaj, Përgjegjësi i Turizmit, Bashkia Malësi e Madhe.
Në fokusin e projekteve të Bashkisë Malësi e Madhe mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, veçanërisht në zonën e bregliqenit, e cila vitet e fundit është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët që udhëtojnë me kampera.
“Ne jemi fokusuar vitet e fundit te bregu liqenor që sa vjen dhe thith një numër shumë të lartë turistësh. Bregu liqenor, sigurisht që shtrihet pjesa më e madhe e liqenit të Shkodrës dhe krijon një ambient fantastik për të zhvilluar turizëm. Turistët e huaj preferojnë dhe kampizëm mjaft cilësor në këtë zonë”, tha Smajlaj.
Me atraksione të shumta për turizmin e aventurës, kulturës dhe traditës, Malësia e Madhe vlerësohet si një nga zonat më të veçanta turistike në Shqipëri dhe më gjerë.
Gazetare: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




