Marrëveshje për dërgimin e emigrantëve të “La Manshit” nga Britania në Francë, BE mohon lajmet për anulimin

Media britanike, Daily Mail raporton se Brukseli ka refuzuar marrëveshjen që do të lejonte kthimin në Francë të emigrantëve, të cilët futen përmes kanalit të La Manshit në Britani.
Sipas Daily Mailit, refuzimi erdhi nga një prej këshilltarëve më të besuar të presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
Politikani gjerman, Bjoern Siebert, u tha zyrtarëve të lartë britanikë se blloku nuk do e marrë në konsideratë nënshkrimin e një marrëveshjeje kthimi, pas Brexit. Komunikimi i refuzimit u bë gjatë takimit mes Siebert me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Sir Tim Barrow, në fillim të këtij viti.
Kjo do të thotë që Britania nuk do të jetë në gjendje të kthejë emigrantët me varka të vogla në Francë për një të ardhme të parashikueshme.
Por vetë Bashkimi Europian, e ka hedhur poshtë këtë raport. Një zëdhënës i komisionit mohoi se Seibert kishte thënë atë që i atribuohej atij në memo, e cila u raportua nga Daily Mail.
“Ne kemi kontrolluar dhe z. Siebert nuk e tha këtë”, tha zëdhënësi i komisionit kur u pyet për memo.
Marrëveshja mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës parashikonte pagesën ndaj kësaj të fundit me 577 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme në përpjekje për të ndaluar udhëtimin e emigrantëve me varka të vogla përgjatë Kanalit La Mansh, duke ndihmuar në financimin e patrullimeve të zgjeruara, përdorimin e dronëve dhe një qendre ndalimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




