Mastershefi francez Jerome Rigaud shijon gatimet shqiptare, vlerëson kuzhinën vendase dhe mikpritjen
Është arsye për t’u ndjerë mirë, kur një shef kuzhine shumë i njohur në Francë, si Jerome Rigaud, vlerëson atë çfarë pa dhe përjetoi në Sarandë. Megjithëse vizita e tij ishte vetëm disaditore dhe kontaktet të limituara, ai shprehet pa rezerva për përjetimet e marra në Sarandë, nga prania dhe kontaktet që i mundësoi eventi i çeljes së sezonit “Verë 2025”.
“Jam i mrekulluar që nga momenti kur arrita këtu. E para bukuria e qytetit që ndërthur kaq bukur malin dhe detin. Gjatë kohës që patëm mundësinë të kalojmë në Fish Festival pamë njerëzit që janë shumë mikpritës. Pamë traditën tuaj dhe vërtet më ka pëlqyer shumë si eksperiencë”, u shpreh shefi i kuzhinës franceze.
Nga akomodimi buzë detit, deri tek një tur i plotë kulinarie që pati: në një fermë, në një agroturizëm, kantinë vere dhe restorant të ngjashëm me ato me yje, Mishelin në vendin e tij, Jerome thotë se çdo gjë ishte spektakolare gjatë qëndrimit në Sarandë.
“Ishte spektakolare ajo që përjetuam gjatë tre ditëve këtu, duke filluar nga akomodimi i mrekullueshëm buzë detit, me një tur kulinarie që ne patëm, me ushqim të freskët të vendit. Me vizitën një fermë në një agrobiznes, me ushqim tradicional shqiptar dhe pastaj me një gastronomi”, vlerëson shefi i kuzhinës franceze.
I pyetur nëse edhe në Menton të Francës nga ai vjen, organizohet gjithashtu një event i ngjashëm me Fish Festival, ai thotë se bëhet Festa e Limonit.
Mastershefi francez Jerome, tregon edhe për një festë tjetër tradicionale në qytetin e tij, atë të Qitros, e cila bëhet në prill dhe, së bashku me atë të Limonit në shkurt, promovojnë nisjen e sezonit të pushimeve.
Këto impresione nga Jerome Rigaud, nga Saranda, marrin edhe më shumë vlerë dhe ngarkesë emocionale, pasi vijnë nga një emër shumë i njohur i kulinarisë franceze, që më parë Shqipërinë dhe Sarandën i dinte vetëm si pika në hartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





