Mbi 2000 vendime legalizimi në 2026 në Shkodër, AKSH: Mbeten edhe 27 mijë aplikime për shqyrtim në shkallë qarku

Aktualitet | 38 minuta më parë

Sipas drejtueses së degës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Shkodër, viti 2026 ka shënuar rezultatet më të larta të viteve të fundit sa i përket emitimit të vendimeve të legalizimit dhe regjistrimit të pronave.

Mesatarisht, në muaj, nga SHK Shkodër prodhohen rreth 2,500–3,000 certifikata pronësie. Pra, aplikimet janë të përditshme’, u shpreh Eglantina Frroku, Drejtuese e ASHK ,Qarku Shkodër.

Për sa i përket legalizimeve, nga janari deri në mesin e shtatorit janë dhënë mbi 2000 vendime legalizimi. Ndërkohë, në shkallë qarku janë ende në shqyrtim rreth 27,000 aplikime.

Ritmi i kryerjes së punës në vitet e mëparshme ka qenë shumë i ulët, për hir të së vërtetës, dhe kjo ka krijuar një stok shumë të lartë të dosjeve që janë aktualisht në proces. Pak a shumë, në një normativë mesatare, plus-minus, janë rreth 27 mijë dosje. Vjet, ne kemi gjetur një stok prej 30 mijë dosjesh”, tha ajo.

Pavarësisht thjeshtimit të procedurave përmes aplikimit online në e-Albania, në dyert e Hipotekës së Shkodrës vijon të ketë prani të lartë të qytetarëve që kërkojnë përshpejtimin e procedurave. Sipas drejtueses së ASHK Shkodër, vonesat lidhen kryesisht me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm nga ana e vetë aplikuesve.

Duhet sqaruar gjithmonë, sepse unë ua them edhe qytetarëve: jo çdo shërbim për regjistrim në Kadastër automatikisht përkthehet në një certifikatë pronësie. Procedura e regjistrimit të titujve kalon edhe nëpër disa hallka të tjera, që janë plotësimet e dokumentacionit. Në rast se aplikimi bëhet i saktë, dokumentacioni për të cilin është dorëzuar prona përputhet 100% me numrat tanë të pasurisë në administrimin e regjistrave të pasurive të paluajtshme dhe përputhja e materialeve hartografike është 100% e saktë. Absolutisht që qytetari pajiset me dokumentin e certifikatës së pronësisë” theksoi ajo.

Përveç procesit të legalizimeve, gjatë vitit 2026 Kadastra e Shkodrës ka shtuar punën në terren për verifikimin teknik dhe matjen e rreth 3 mijë e 400 aplikimeve që lidhen me shtëpitë e vjetra dhe oborret në përdorim, me fokus të veçantë në lagjet historike të qytetit

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme