Mbrëmjet verore në Sarandë: shëtitje, shërbime, argëtim, gjallëri, ngjyra
Saranda e këtij qershori është plot jetë e gjallëri që vjen prej turizmit.
Jeta e mbrëmjes ofron gjithë mundësitë për të gjetur kënaqësinë dhe për t’u ndjerë mirë në peizazhin piktoresk që të kap syri. Kjo vjen edhe se në çdo hap, pushuesi apo vizitori rrethohet nga oferta shërbimesh pa fund. Në shëtitore kanë dalë të gjithë: ata që shëtisin dhe ata që janë në shërbim të tyre, duke nisur nga kamerierët e lokaleve me menunë në dorë. Të shoqërojnë edhe melodi të njohura nga tastiera e një fizarmonike, që këtu në shëtitore nuk e heq nga supi Vasil Çukua.
Më tej një ekran i madh tërheq pasionantët e filmit modern shqiptar. Vazhdojnë netët e “Dea Open Air”.
Duke shëtitur, italiani Marko josh me ofertën e shërbimit të tij fare të veçantë. Na thotë se është në shëtitore për të bërë video të personalizuara me dron dhe kamera profesionale dhe ua jep turistëve për 10 euro, si një kujtim të gjallë nga pushimet në Sarandë.
Anika e Dritan Onjea, çifti i i mirënjohur i realizuesve të suvenireve me bazë guaskën, na thonë se në tezgën e tyre dominojnë objekte zbukurimi që i përgatisin gjatë dimrit, ndërkohë që në çast bëjnë suvenire të personalizuara.
“Është një nismë që e kemi filluar me dashurinë për detin. Kemi krijuar si fillim varëse të vogla, byzylykë…” shprehet znj. Onjea.
Prej atyre që shëtisin, ka nga ata që mendojnë për xhiron e së nesërmes me skaf dhe i afrohen biletarive të shumta, ku kërkojnë të prenotojnë guidën që u duket më tërheqëse.
“Këtë vit kemi pasur shumë nga vendet e Europës Qendrore, sidomos francezë, spanjollë, si dhe vende nordike, sidomos suedezë, norvegjezë,” thotë Alfred Serjani, një prej agjentëve të skafeve.
Mbrëmjet janë shumë të ngarkuara me jetë, me ritme dhe konsum. Veçanërisht mbrëmjet e fundjavës në Sarandë, shoqërohen me fluks të shtuar dhe me variacion.
Qysh tani, në qershor, mbrëmjet kanë filluar të duken më intensive dhe më të gjata, aq sa shpesh u dihet vetëm fillimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





