Media italiane promovon brigjet shqiptare: “Shijoni plazhet spektakolare, të pastra, me çmime të përballueshme”
Revista prestigjioze italiane “Wom Travel” i ka dedikuar një artikull Shqipërisë ku shkruan se “janë shumë të pakta vendet në Evropë që kanë mbetur ende të paprekura dhe pothuajse të fshehta, ku natyra mahnitëse takohet me çmime ende të përballueshme. Një prej tyre është Shqipëria, destinacioni që po fiton gjithnjë e më shumë zemrat e udhëtarëve.”
Shpesh e quajtur “Karaibet e Europës”, Shqipëria, sipas kësaj reviste, ofron një përzierje unike: plazhe të virgjra, ujëra të kristalta, mikpritje të ngrohtë, kuzhinë të shijshme dhe një trashëgimi të pasur historike e natyrore. Të gjitha këto e bëjnë vendin një destinacion tërheqës, ku mund të shijoni pushime ndryshe, larg komercializimit të tepruar.
Ndër të tjera revista “Wom Travel” ka renditur edhe disa nga plazhet më të mira të rivierës shqiptare, si Ksamili, të cilin e quan një parajsë e vërtetë Karaibesh, i famshëm për gjiret e veta me rërë të bardhë dhe tre ishujt. Apo Gjipenë, ndër plazhet më të egra dhe më spektakolarë.
Ndërsa Sarandën e rendit si një bazë strategjike për të eksploruar mrekullitë përreth, si Butrinti apo mrekullia natyrore e Syrit të Kaltër.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




