Memaliaj, interes për “Paketën e Maleve”, mbi 35 kërkesa për investime në turizëm
Gjatë muajve të fundit, në Memaliaj janë paraqitur mbi 35 kërkesa për shfrytëzimin e tokave malore me qëllim zhvillimin e turizmit dhe ngritjen e bujtinave.
Ky interes i lartë vjen në kuadër të “Paketës së Maleve”, një nismë e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama, që synon të kthejë potencialet natyrore të zonave malore në burim të turizmit të qëndrueshëm dhe agroturizmit.
“Janë paraqitur rreth 35 aplikime. Ne i kemi ndarë zonat ku kanë interes qytetarët,” tha Bujar Kapllani, Drejtor i Bujqësisë në Bashkinë Memaliaj.
Aplikimet janë kryer online në portalin e-Albania dhe po shqyrtohen nga autoritetet për të parë nëse plotësojnë kriteret e nevojshme.
“Aplikojnë vetë drejtpërdrejt qytetarët; ata që aplikojnë janë banorë që kanë lidhje me pronën këtu, jo që të vijë dikush tjetër nga jashtë. Meqë do të bëhet edhe rruga Berat–Ballaban–Përmet, janë shumë të interesuar për zonën e Buzit,” tha Kapllani.
Prioritet do t’u jepet projekteve që respektojnë mjedisin dhe ofrojnë zhvillim afatgjatë, duke synuar që turizmi malor të kthehet në një mundësi konkrete për rritjen ekonomike të Memaliajt.
Gazetare : E. Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





