Ministri Nufi në Ankara, takim me homologun turk: Fokus te mbrojtja dhe siguria

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara, ku u prit nga homologu i tij turk, Yaşar Güler. Në fokus të takimit ishte thellimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit përmes projekteve konkrete.
Gjatë takimit, Nufi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar lidhjet historike, anëtarësimin e përbashkët në NATO dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në sektorin e mbrojtjes.
Sipas ministrit shqiptar, Turqia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Ai veçoi gjithashtu bashkëpunimin në arsimimin dhe trajnimin ushtarak, ku prej më shumë se dy dekadash kadetë, oficerë dhe nënoficerë shqiptarë kanë ndjekur akademi dhe programe trajnimi në Turqi.
“Për më shumë se 20 vjet, kadetë, oficerë dhe nënoficerë shqiptarë kanë ndjekur akademi dhe programe trajnimi në Turqi, duke e bërë arsimin dhe trajnimin një nga shtyllat më të qëndrueshme të marrëdhënies dypalëshe në mbrojtje. Bashkëpunimi do të vijojë të fokusohet në modernizimin e FARSH, zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë, në përputhje me standardet dhe objektivat e NATO-s”, u shpreh Nufi.
Bashkëpunimi në të ardhmen pritet të fokusohet te modernizimi i Forcave të Armatosura, zhvillimi i kapaciteteve dhe rritja e ndërveprueshmërisë në përputhje me standardet dhe objektivat e NATO-s.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte bashkëpunimi me kompanitë turke përmes investimeve në Shqipëri dhe krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta.
Nufi tha se Shqipëria sheh mundësi për transferimin e teknologjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve vendase, duke krijuar hapësira të reja për industrinë shqiptare të mbrojtjes.
“Shqipëria sheh potencial për transferim të përshtatshëm të teknologjisë dhe zhvillim të kapaciteteve vendase, duke krijuar mundësi të reja për industrinë shqiptare të mbrojtjes”, tha ministri Nufi.
Në takim u diskutua edhe kontributi i Turqisë në KFOR dhe mbështetja për kontingjentin shqiptar në EUFOR ALTHEA. Të dyja palët shprehën angazhimin për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.
Në përfundim, dy ministrat ndanë bindjen për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit dhe orientimit të tij drejt një programi më të strukturuar, me projekte konkrete dhe rezultate të matshme.
Vizita e ministrit Nufi në Ankara synon të forcojë më tej partneritetin strategjik Shqipëri–Turqi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



