Ministri Salla: Sipërmarrjet e grave rurale, modele frymëzimi. Rreth 7500 gra të mbështetura nga skemat kombëtare

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim të posaçëm me vajza dhe gra sipërmarrëse rurale, të cilat janë mbështetur nga projekti “Fuqizimi i Grave për Zhvillim Rural në Shqipërinë Veriore”.
Ministri Salla theksoi rëndësinë e rolit të tyre, duke deklaruar se sipërmarrjet e ngritura nga gratë dhe vajzat janë “modele frymëzimi” dhe “promovuese të ndryshimit” në fusha si bujqësia, agroturizmi dhe përpunimi ushqimor.
Sipas Ministrit, mbështetja me financim, trajnime dhe asistencë teknike po i ndihmon këto gra të ndërtojnë biznese familjare, ferma moderne dhe forma të reja bashkëpunimi që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin lokal. Ai prezantoi të dhëna konkrete mbi rritjen e përfitueseve.
“Nga vetëm 430 përfituese në vitin 2016, sot numërohen rreth 7500 gra të mbështetura përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes, ndërsa qindra të tjera kanë përfituar nga mekanizmat e Kredisë së Butë dhe Garancisë Sovrane,” u shpreh Salla.
Ministri shtoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në bujqësi nuk shihet vetëm si objektiv social, por si një strategji ekonomike kombëtare për garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit.
Në vizionin e qeverisë “Bujqësia 2030” synohet t’u jepet grave rurale roli i merituar si vendimmarrëse, lidere komuniteti dhe sipërmarrëse të suksesshme.
Gjatë takimit, gratë paraqitën edhe produktet e tyre, përfshirë sapunin me bimë mjekësore nga Laureta e Zadrimës dhe llojet e ndryshme të bimëve mjekësore nga gratë e Peshkopisë. Takimi shërbeu për të dhënë mesazhin se fuqizimi i grave rurale është çelësi i një Shqipërie më të zhvilluar dhe të qëndrueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





