“Mirëmëngjes Shqipëri” – Talasemia prek qindra fëmijë, Doktoresha Ndrekaj u bën apel çifteve: Kryeni Elektroforezën e hemoglobinës para shtatzënisë

Aktualitet | 10 muaj më parë

Talasemia është një nga sëmundjet gjenetike më të përhapura në Shqipëri, duke prekur qindra fëmijë dhe të rinj që varen nga transfuzionet e rregullta të gjakut për të jetuar.

Çdo javë, dhjetëra pacientë paraqiten në qendrat spitalore për të marrë gjak, një proces jetik që nuk mund të shtyhet apo të zëvendësohet.

Në lidhje me këtë çështje, në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” ishte e ftuar Dr. Blerta Ndrekaj, koordinatore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, e cila shpjegoi rëndësinë e këtij procesi dhe situatën aktuale të fëmijëve talasemikë.

Ajo theksoi se mjekimi bazë i tyre është njësia e gjakut që duhet ta marrin çdo dy javë, duke e cilësuar këtë si një nevojë jetike që nuk mund të anashkalohet.

“Mjekimi bazë i fëmijëve talasemik është njësia e gjakut që duhet ta marrin çdo dy javë. Pra është një nevojë jetike që dy herë në muaj fëmijët e prekur duhet të paraqiten në spital për të marrë mjekimin e radhës. Mjekimi i 600 fëmijëve talasemik që ndodhen në vendin tonë është shumë i domosdoshëm ndaj dhe Kryqi i Kuq shqiptar bën promocionin më të madh, kjo bëhet dhe për pacientë të tjerë, por në fokus janë fëmijët talasemik që kanë nevojë periodike për gjak.”

Sipas saj, aktualisht, në Shqipëri janë rreth 600 fëmijë talasemikë, ku vetëm në qytetin e Lushnjes numërohen 117 pacientë.

Dr. Ndrekaj shpjegoi se zonat me risk më të lartë për talaseminë janë ish-Myzeqeja, Berati, Fieri dhe Lushnja, ku përqindja e bartësve të sëmundjes është e lartë, shpesh pa dijeni, ndërsa popullata jeton një jetë normale.

“Zona e ish-Myzeqesë, zona e Beratit, Fier, Lushnjë, por shto dhe se popullata tashmë ka migruar, ka një përqindje të lartë të njerëzve që janë bartës të kësaj sëmundjeje, por nuk kanë dijeni dhe bëjnë një jetë normale.”

Kryqi i Kuq Shqiptar, përmes degëve të tij në Lushnjë, Elbasan, Fier, Berat, Kavajë dhe Durrës, siguron njësitë e gjakut të nevojshme për këta pacientë, duke u bërë një mbështetje jetike për ta.

Doktoresha Blerta Ndrekaj rekomandon çiftet e rinj që planifikojnë një shtatzëni të kryejnë analizën Elektroforeza e hemoglobinës, pasi kjo është mënyra më e sigurt për të parandaluar lindjen e një fëmije talasemik, i cili do të ketë nevojë periodike për njësi gjaku dhe mund të vuajë më pas nga komplikacione të tjera.

Ajo tha se kjo analizw përcakton anormalitetet e mundshme të hemoglobinës dhe parandalon lindjen e një fëmije talasemik.

 “Të gjithë mjekët rekomandojnë Elektroforezën e hemoglobinës para planifikimit të një shtatzënie. Të dy partnerët duhet t’i nënshtrohen kësaj analize për të parandaluar ardhjen në jetë të një fëmije talasemik, i cili do të ketë nevojë periodike për gjak dhe më pas do të vuajë nga komplikacione të tjera,” u shpreh ajo.

Ndërkohë, Dr. Ndrekaj dha edhe një lajm të rëndësishëm: sot, në orën 13:00, në xhaminë e Namazgjasë, besimtarët dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman do të dhurojnë gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe pacientëve që kanë nevojë.

“Ky akt solidariteti është një shembull i bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve shëndetësore, duke treguar se dhurimi i gjakut është një mision human që prek të gjithë shoqërinë. Dhurimi i gjakut në vendin tonë është një akt solidariteti që shpëton jetë dhe mbetet një nevojë e vazhdueshme.”- tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme