Mjerimi në Korenë e Veriut, ambasadori Hoxha: Si Shqipëria mbi 30 vjet më parë

Botë | 3 vite më parë

Pjesëtarët e Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar Korenë e Veriut se po e lë popullatën e vet të uritur, ndërkohë që i jep më shumë rëndësi programit për armë bërthamore dhe forcimit të ushtrisë.

Në takimin e Këshillit të Sigurisë që u mbajt të enjten foli edhe përfaqësuesi i Shqipërisë, ambasadori Ferit Hoxha.

“Pak më shumë se tri dekada më parë, si shumë bashkëkombësit e mi, kam jetuar në një regjim të ngjashëm me të Koresë së Veriut. Ai regjim ishte aq paranojak saqë u shkërmoq vetë, u vetizolua totalisht dhe u harrua në çmendurinë e vet, pasi investoi disa dhjetëvjeçarë në atë që e konsideronte armën më të mirë mbrojtëse: bunkerët.

Nëse Koreja e Veriut do të merrte shembull, do të ishte kjo: armët nuk e ndryshojnë kurrë shtetin, nuk e ushqejnë popullatën, nuk sjellin mirëqenie,” u shpreh ambasadori Hoxha.

Në rezolutën e miratuar, vendet anëtare të OKB-së deklaruan në shumicë se Pheniani po abuzon me të drejtat e qytetarëve, me punën e detyruar dhe futjen në punë të fëmijëve, ndërsa kushtet ekonomike në vend janë përkeqësuar.

Një dëshmitar që u largua fshehtas nga Koreja e Veriut që 17 vjeç, tha se ai kishte punuar që fëmijë në fushat e grurit, pa pagesë, dhe se sasia e drithit që mblidhej shkonte e gjitha për ushtrinë.

Nga Pheniani nuk pati delegatë në mbledhje, por përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë thanë  se Këshilli nuk është vendi i duhur për të trajtuar problemet me të drejtat e njeriut në shtetin aziatik.

Të hënën, udhëheqësi koreanoverior, Kim Xhong Un, bëri thirrje për shtimin e prodhimit të raketave për ta pasur vendin gati në rast lufte.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme