Moment i rrallë kontakti të nivelit të lartë, Sekretarët e Mbrojtjes të SHBA dhe Rusisë bisedojnë mbi luftën në Ukrainë

Sekretarët e Mbrojtjes së SHBA-së dhe Rusisë kanë zhvilluar një bisedë telefonike, një moment i rrallë kontakti të nivelit të lartë midis dy vendeve që nga pushtimi i rus i Ukrainës.
Të dy vendet konfirmuan se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe homologu i tij rus, Sergei Shoigu, zhvilluan një bisedë këtë të premte, ku u diskutua për situatën në Ukrainë.
Është hera e parë që ata raportojnë një bisedë që prej 13 majit. Pentagoni tha se Austin kishte “theksuar rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit në mes të luftës së vazhdueshme kundër Ukrainës”. Nga ana tjetër, Ministria ruse e mbrojtjes tha se “u diskutuan çështjet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë situatën në Ukrainë”.
Këto bisedime vijnë pas aludimeve nga presidenti rus Vladimir Putin se ai mund të jetë i gatshëm të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
Zyrtarët si në SHBA ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar thonë se besojnë se shanset që Putin të kryejë këto kërcënime, janë të ulëta, ndërsa marrëdhëniet tashmë të ftohta midis SHBA-së dhe Rusisë u përkeqësuan edhe më shumë që nga pushtimi i Ukrainës.
Udhëheqësit e të dy vendeve patën një takim në mesin e vitit 2021, i cili u paralajmërua si një hap pozitiv drejt një marrëdhënieje më të mirë, por ky progres ngeci pasi tensionet u përshkallëzuan mbi Ukrainën./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



