Mundësitë e studimit, formimi matematikor hap dyert në arsim, teknologji, ekonomi dhe financë

Aktualitet | 55 minuta më parë

Interesi për programet universitare vijon të jetë në fokus të maturantëve, ndërsa këtë vit vëmendje ka edhe dega e matematikës në Universitetin e Shkodrës.

Drejtuesja e departamentit të matematikës shprehet se regjistrimet në këtë degë japin një panoramë të interesit të maturantëve për këtë program studimi.

“Në këtë fazë regjistrimet janë thuajse në të njëjtin nivel me periudhën përkatëse të vitit të kaluar dhe synojmë rritje të mëtejshme. Programi ynë mbështetet në traditën akademike të Universitetit të Shkodrës. Këtë përvojë e zhvillojmë përmes një kurrikule që lidh matematikën me programimin, ekonominë, financat dhe zbatimet. Aftësitë zhvillohen përmes punës, ndërsa formimi matematikor krijon bazën për disa drejtime specializimi”, tha Prof. As. Dr. Siditë Duraj.

Diploma e matematikës mundëson angazhimin e të rinjve në disa fusha të arsimit dhe tregut të punës.

“Formimin matematik krijon një bazë për zhvillim profesional në arsim, teknologji, ekonomi dhe financë. Në nivel master, mundësitë mund të përfshijnë matematikën e zbatuar, informatikën, shkencën e të dhënave, inteligjencën artificiale dhe programe ndërdisiplinore të lidhura me inxhinierinë sipas kritereve të pranimit dhe përgatitjes paraprake. Mësimdhënia mbetet një drejtim i rëndësishëm pas kualifikimit përkatës. Nëse keni prirë për matematikën, ju ftojmë ta zhvilloni këtë potencial pranë nesh. Zgjidhni baçelorin matematik në Universitetin e Shkodrës. Jepni pasionit tuaj një drejtim profesional”, tha ajo.

Përtej studimeve universitare, përgatitja në matematikë krijon mundësi për vijimin e karrierës në fusha të ndryshme profesionale.

Gazetare: B. Cina      

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme