“Muzak Fest” në Apoloni, edicioni i dytë. Një mbrëmje kushtuar rrënjëve, kujtesës dhe trashëgimisë
I organizuar nga Bashkia Fier, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, edicioni i dytë i Muzak Fest mblodhi në Apoloni artistë të njohur, personalitete të artit e kulturës dhe artdashës nga Fieri dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Poezia, muzika dhe interpretimi artistik u ndërthurën me historinë mijëra vjeçare të Apolonisë.
“Këtu është një mrekulli. Është mrekulli për të gjithë ne shqiptarët që s’duhet të harrojmë nga kemi ardhur, çfarë kulture kemi dhe çfarë duhet të respektojmë edhe të trashëgojmë në breza”, tha aktorja Rajmonda Bulku.
“Është kënaqësi, pa diskutim, të interpretosh në Apolloni. Pa diskutim që Apollonia duhet të zhvillojë aktivitete kulturore pafund. Është një thesar, është një vend i shenjtë, një vend ku unë mendoj që çdo njeri takon Perëndinë”, tha aktori Dritan Boriçi.
Edhe në këtë edicion, Muzak Fest synoi të shkonte përtej konceptit të një aktiviteti artistik. Festa lindi për të krijuar një marrëdhënie të gjallë me trashëgiminë, për të na rikthyer te rrënjët dhe historia jonë.
“Organizohet me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe ne kemi zgjedhur Parkun Arkeologjik të Apolonisë si një prej thesareve më të çmuara të trashëgimisë kulturore”, tha Ornela Durmishaj, Drejtoreshë e Parkut Arkeologjik Apoloni
“Është e rëndësishme sepse është një event, le të themi, elitar, jo masiv. Nuk është një art që duhet të bërtitet, është një art që flitet ose i përçohet njerëzve”, Adriana Mile, Drejtoreshë e Artit dhe Kulturës, bashkia Fier.
Edicionet e ardhshme të Muzak Fest do të organizohen në të tjera monumente dhe hapësira të Bashkisë Fier.
Gazetare: L. Roshi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




