Natë e vështirë nga zjarret në qarkun e Shkodrës, disa vatra në Vaun e Dejës dhe Malësi të Madhe, vijon operacioni

Një natë e vështirë për Qarkun e Shkodrës, ku disa vatra zjarri me përmasa serioze u shfaqën në Shkodër, Vau Dejës dhe Malësi të Madhe.
Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektura e Qarkut Shkodër vijoi koordinimin e forcave operacionale vendore dhe qendrore për përballimin e situatës.
Falë ndërhyrjes së pandërprerë të forcave zjarrfikëse, zjarret në Shkodër dhe Malësi të Madhe, si dhe disa vatra në Vau Dejës, u vunë nën kontroll brenda pak orësh. Në Vau Dejës, ndërhyrja vijon ende për shuarjen e plotë të një vatre aktive.
Gjatë gjithë natës, rreth 30 efektivë zjarrfikës punuan pa ndërprerje në terren. Ekipit të MZSH Vau Dejës iu bashkuan forcat e MZSH Shkodër, Pukë dhe Fushë-Arrëz, si dhe efektivë dhe mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur izolimin e zjarrit, shmangien e rrezikut për banesat dhe mbrojtjen e trasesë së linjës së transmetimit.
Aktualisht, një vatër mbetet aktive, ndërsa ekipet vijojnë punën për shuarjen e plotë të saj.
Prefektura e Shkodrës shpreh mirënjohje për efektivët e MZSH-së, Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile, shërbimit pyjor dhe Policisë, për angazhimin e pandërprerë në terren, si dhe për banorët vullnetarë që iu bashkuan operacionit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




