Nations League/ Maran: Nuk doja të eksperimentoja, Berisha dhe Broja janë gjithmonë të mirëpritur!

Rolando Maran ka dalë sot përpara gazetarëve për të komentuar zgjedhjen e tij të bëra pas përpilimit të listës së lojtarëve, të cilët do të përdoren në katër takimet e radhës të vlefshme për Grupin C të Nations League.
Komisari teknik i Shqipërisë ka surprizuar jo pak duke lënë jashtë emra si Berisha dhe Broja. Në këtë drejtim ai tregon se: “Situata ku ndodhen lojtarët më kanë kushtëzuar në përpilimin e listës. Broja dhe Berisha mungojnë duke vlerësuar momentin, por në kombëtare e kanë derën e hapur”.
Mungesa e dy lojtarëve ka surprizuar jo pak ashtu si rikthimi në kombëtare i Etrit Berishës. Për grumbullimin e 37-vjeçarit, Maran tha: “Berishën e kam grumbulluar se Strakosha nuk ishte gati. Unë e konsideroj njërin prej portierëve më të mirë të Shqipërisë, kur grumbulloj lojtarët nuk shikoj datën e lindjes”.
Sa i përket grumbullimit të Sabah Kerjotës, Maran argumentoi: “Sabah Kerjota ka qenë një lojtar, i cili ka dy sezone që aktivizohet në nivele të larta. Mendoj se është një profil që do të na shërbejë shumë”.
Një tjetër emër surprizë ishte edhe ai mbrojtësit të Union Brescia, Samuele Sina. Për profilin e mbrojtësit 19-vjeçar, Maran pranoi se ky grumbullimin do t’i shërbente për të vendosur se si do të punohej me të riun. “Sina ka arritur që të jetë titullar në një ekip të mirë dhe të bësh diçka të tillë në moshë të re nuk është pak. Dua që ta shikoj të stërvitet me ne dhe më pas do të vlerësojmë nëse do të vazhdojë të luajë për moshat apo të jetë pjesë e grupit tonë”, tha 63-vjeçari.
Mes të tjerash Maran u pyet edhe për faktin se në listën e tij kishte vetëm dy lojtarë të Abissnet Superiore. Në këtë drejtim italiani tha se kishte parë disa profile interesante, por që nuk i ka grumbulluar pasi kishte preferuar që të ftonte lojtarë, të cilët janë gati dhe që nuk u mungon eksperienca në të tilla nivele. “Jam mbështetur te lojtarët me eksperiencë. Lojtarë të cilët kanë luajtur në kombëtare dhe njohin atmosferën e ndeshjeve të tilla”, tha Maran. A.V.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




